Revoltohen deputetët e LDK’së pasi Arbërie Nagavci i thotë Hajdinit “Mos fol palidhje”

  • A.P /
  • 09 October 2020 - 19:58
Revoltohen deputetët e LDK’së pasi Arbërie Nagavci i thotë Hajdinit “Mos fol palidhje”

Pas fjalimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, kolegu i tij nga LDK, Shkëlzen Hajdini, ka kërkuar replikë me pretendimin se iu ka përmendur emri.

Ka qenë nënkryetarja, Arbërie Nagavci, që nuk ia ka dhënë fjalën Hajdinit, pas pyeti Hysenin nëse iu ka përmendur emrin e tij apo iu ka referuar fjalimit.

 

“Po i besoj atij [Hysenit]”, ka qenë arsyetimi i Nagavcit që është dëgjuar në mikrofon.

Por një “Mos fol palidhje” e saj nuk është dëgjuar jashtë Kuvendit, për të cilën ka reaguar Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Kur ulesh në pozitën e kryetares je mbi palët dhe nuk mund t’i drejtohesh njërës palë se po e thotë të vërtetën ose jo, duke u bazuar në filanin që është i partisë sime. Do të lutesha të jesh e kujdesshme. Nuk e kemi asnjëra palë të qartë se cila mund të jetë e vërteta”, ka thënë Gashi.

“Ndoshta ishte gjuhë e pavullnetshme nga ana jua, the “mos fol palidhje”. Nga foltorja e kryetares së Kuvendit nuk mund të thuhet ajo, është mirë të kesh kujdes”.

Ka qenë Nagavci që ka dalë në foltoren e deputetëve duke thënë se është ajo që respekton rregulloren e Kuvendit.

“Pas fjalës së Alban Hysenit, Shkëlzen Hajdini tha se “mu ka përmendur emri” dhe e ndërpreva fjalën e ministrit dhe e pyeta atë nëse e ka përmendur emrin e deputetit Hajdini apo iu ka referuar fjalimit”.

“Për të qenë korrekt marrë përsipër që të shohë tërësisht transkripitin se kush e ka thënë të vërtetën”.

Edhe deputetja e LDK-së, Vlora Limani-Hajnuni, i ka kërkuar Nagavcit që të ketë kujdes derisa drejton seancat.

(Kosova Sot Online)