Deputeti i VV’së: Dyshoj mos na e kanë ndërruar kryeministrin rrugës nga Amerika për në Kosovë

  • S.A /
  • 10 October 2020 - 08:29
Deputeti i VV’së: Dyshoj mos na e kanë ndërruar kryeministrin rrugës nga Amerika për në Kosovë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka kritikuar edhe kryeministrin, Avdullah Hotin, për të cilin tha se nuk po i mban premtimet, i ndryshon deklaratat, derisa tha se dyshon që e kanë ndërruar kryeministrin rrugës nga Amerika për në Kosovë.

“Deklaratat e tij ndryshojnë aq shpesh, premtimet e tij nuk mbahen asnjëherë dhe dyshoj që na e kanë ndërruar kryeministrin rrugës nga Amerika për në Kosovë”.

Uka, ka deklaruar se gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës është përballur me provokime dhe ofendime të vazhdueshme, kryesisht nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të cilin tha se nuk e din se si duhet të parandalohet pandemia.

“Jam përpjekur që të vë në pah mashtrimet dhe premtimet e pa mbajtura te kësaj qeverie, por jam përballur me ndërprerje të vazhdueshme dhe fyeje nga Armend Zemaj”.

“Me gjithë respektin për këtë ministër ilegal që është jurist me profesion, i cili nuk e di se si duhet të parandalohet pandemia, etiketimet e tij për përgatitjen time profesionale janë shfryrje e mllefit”.

“Nuk e kam problem që të njoh meritat e secilit ministër, por s’mund të pranojë që dikush të krekoset në Kuvend për menaxhimin e pandemisë”.

“Çfarë shembulli mund të jemi ne në këtë fushë tani kur kemi këtë shkallë të vdekshmërisë. Në Republikën çeke ka dhënë dorëheqje ministri i tyre i shëndetësisë për shkak të numrit të rasteve dhe vdekjeve në raport me numrin e popullatës, ndërsa tek ne kemi më shumë dhe ministri i shëndetësisë lavdërohet”, ka thënë Uka.

(Kosova Sot Online )