Policia me raport zyrtar për arrestimin e Haki Rugovës dhe të tjerëve

  • A.P /
  • 10 October 2020 - 10:46
Policia me raport zyrtar për arrestimin e Haki Rugovës dhe të tjerëve

Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar Kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugovën, dhe dy zyrtarë të tjerë.

Përmes raportit 24 orësh, është bërë e ditur se ata janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikt interesi dhe falsifikim i dokumentit.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, për të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale të lartcekura. Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.

Ndryshe, Rugova dyshohet se në cilësinë e kryetarit të komunës i ka krijuar favore të mëdha financiare kompanisë së një familjari.

Arrestimi i Rugovës së bashku me ish-nënkryetarin e Komunës, Lulzim Blakaj, e një zyrtar tjetër të Komunës, Faton Bujupi, lidhet me dhënien e disa parcelave të Komunës, të cilat janë shfrytëzuar për gurëthyes.

“4 vendime të Kuvendit Komunal për dhënie të Parcelave publike në shfrytëzim për gurthyes” ka thënë avokati Besnik Berisha, teksa ka treguar arsyen e arrestimit të klientit të tij, Haki Rugovës.

(Kosova Sot Online)