Berisha: Haki Rugova sot shkon në shtëpi, krim ka bërë Prokuroria

  • E.K /
  • 11 October 2020 - 13:40
Berisha: Haki Rugova sot shkon në shtëpi, krim ka bërë Prokuroria

Besnik Berisha, avokat i kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, ka folur pas seancës dëgjimore të këtij të fundit në Gjykatën e Pejës.

Berisha tha se kryetari i Istogut sot do të shkojë në shtëpi.

Ai ka deklaruar se Rugova nuk ka bërë krim, por Prokuroria e cila sipas tij e ka arrestuar kundërligjshëm.

“Lajmi është se zoti Rugova tani shkon në shtëpi. Krim nuk ka bërë Hakiu, por Prokuroria. Arrestimi i tij është i kundërligjshëm, është arbitrar. Sot në orët e pasdites do të këtë një konferencë ku do të shpaloset gjithçka që pretendon Prokuroria”, ka deklaruar Berisha.

Berisha tha se do arrestimi i Rugovës nuk është i arsyetuar juridikisht.

“Seanca është vonuar për shkak se me të pranuar kërkesën e Prokurorisë, çdo fjali e kam “lnurë”, sikur copën e leshit, e kam shpërfaqur pafytyrësinë e ndjekjes së instruktuar, por jo juridikisht të arsyetuar”, tha Berisha.

“Ka zgjatur për shkak të arsyeve të dhëna nga unë si mbrojtës i z.Rugova, përndryshe Prokuroria në momentin kur i ka dorëzuar dokumentet të cilat përmbanin fakte të falsifikuara, e kanë ulë kokën dhe janë në pritje të një vendimi, i cili po të ketë drejtësi, zoti Rugova do të kthehet në shtëpi dhe te qytetarët që duhet t’u shërbejë me ndershmëri”, tha ai.

Berisha ka deklaruar se do të kërkohet hetim urgjent nga Prokuroria Speciale, për shkak të arrestimit të kryetarit të Istogut.

Ai tha se Rugova është persekutuar dhe se ndaj tij është shfaqur dëm i pariparueshëm.  

“Do të kërkohet një hetim urgjent nga prokuroria Speciale, pasi kjo Prokurori nuk ka qenë kompetente, as nuk është dashur të urdhërojë arrestimin e  as të iniciojë hetimin kur bëhet fjalë për një zyrtar të komunës, përkatësisht për zyrtarin më të lartë ekzekutiv. Kryetari i Komunës së Istogut është persekutuar. Ajo që është shpërfaqur është dëm i pariparueshëm ndaj z.Rugovës, familjes së tij”, ka deklaruar Berisha.

“Është pak e rëndësishme se cfarë mase do të caktojë Gjykata, do të provohet krimi ndaj Hakiut. Kemi dorëzuar prova që nuk bëhet fjalë për falsifikim, shpronësim të kundërligjshëm, çdo provë rrëzon verbërinë e Prokurorisë. Prokuroria është tërhequr nga kërkesa për caktimin e  masës së sigurisë ndaj z.Faton Bujupi, për akterin kryesor, kinse, sepse ëpr mua është i pafajshëm, Porkuroria heq dorë në momentin e fundit, por nuk mund të tërhiqet nga propozimi për z.Rugova, pasi turpi nuk i mbulon as sot as edhe 20 vjet”, tha ai.

“Sot krim bëri Prokuroria, jo Hakiu. Po e presim vendimin e Gjykatës. Publiku është dashur ta dëgjojë se çfarë persekutimi është bërë ndaj një zkryetari të komunës”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se arrestimi i Rugovës është i lidhur edhe me fushatën zgjedhore.

“Do të mbahet një konferencë në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Unë do t’i shpërfaqi provat publikisht, ku do të faktohet se jo vetëm që nuk bëhet fjalë për konflikt interesi, keqpërdorim të detyrës zyrtare, por që paska filluar fushata zgjedhore, dikush paska dashur ta nis me arrestimin e Haki Rugovës, që të bëhet titull i dyshimeve të Prokurorisë e shpeshherë edhe të dëmshme skajshmërisht”, ka deklaruar avokati i kryetarit të Istogut.

Ndërkohë, kryetari i Istogut, Haki Rugova, ish-nënkryetari Lulzim Blakaj dhe zyrtari komunal Faton Bujupi, u arrestuan arrestuan mbrëmjen e së premtes, nën dyshimet për veprat penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ”konflikt interesi” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”.

Media ka raportuar se arrestimi i kryetarit të Istogut dhe zyrtarëve tjerë komunalë lidhet me një parcelë të Komunës të cilën Rugova dyshohet se ua ka dhënë familjarëve.  

Një gurëthyes është arsyeja e arrestimit të kryetarit të Istogut.

Ai dyshohet se ia dha në shfrytëzim një parcelë publike familjarëve të tij, të cilët ushtrojnë këtë veprimtari.

Kjo nuk është hera e parë që Rugova përballet me drejtësinë.

Ai është duke u gjykuar nga Gjykata e Pejës për veprën penale të konfliktit të interesit.

(Kosova Sot Online)