PDK: Arsimi po degradohet, mungesë shumëvjeçare e investimeve në kryeqytet

  • E.K /
  • 11 October 2020 - 14:04
PDK: Arsimi po degradohet, mungesë shumëvjeçare e investimeve në kryeqytet

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një konference për media ka radhitur disa nga problemet në arsim. Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci dhe deputetja e këtij subjekti, Ariana Musliu-Shoshi kanë kritikuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin për mungesë të investimeve.

Stavileci tha se arsimi i degraduar në vazhdimësi është shndërruar në brengën kryesore të familjeve në kryeqytet.

“Si pasojë e mungesës së vizionit dhe mosmenaxhimit e realizimit efikas të buxhetit, arsimi po degradohet dhe është shndërruar në brengën kryesore të familjeve tona. Pasiguri e dilema të shumta nga cilësia e mësimit e deri te siguria fizike e fëmijëve tanë po e përcjellin secilën familje prishtinase”, ka thënë ai.

Sipas tij, qeveritë e deritanishme të kryeqytetit janë shndërruar në pengesën kryesore të arsimit.

“Qeverisjet lokale të dy partive në pushtet, Partisë Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, jo vetëm që nuk po kanë vizion, dije, guxim e energji për t’i çuar proceset përpara dhe për ta përmirësuar arsimin, por ato janë shndërruar në pengesën kryesore të kësaj fushe, duke e degraduar në të gjitha format dhe nivelet, me çka po rrezikohet e ardhmja e fëmijëve tanë. Tërësisht e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që të kemi gjithë këto nevoja për investime e komunës t’i teprojnë nga 20 milionë euro në vit, ndërkaq Qeveria ta shkurtojë për afro 12 milionë euro buxhetin për arsim”.

Ndërkaq deputetja nga rradhët e PDK-së, Ariana Musliu–Shoshi foli rreth politizimit të institucioneve arsimore në Komunën e Prishtinës, vonesën në organizimin dhe përgatitjen e objekteve shkollore, menaxhimin e dobët dhe mungesën e ndarjes së fondeve për përballje me pandeminë COVID19.

“Problem është edhe mospërzgjedhja e drejtorëve dhe zv.drejtorëve me konkurs nëpër shkolla, por vazhdojnë vetëm me emërime që disa vite, dhe kjo është në shpërputhje me ligjin”, tha ajo mes tjerash.

(Kosova Sot Online)