
Lexoni edhe:
Abrashi: Zgjerimi i rrugës Kllokot-Gjilan e rëndësishme për lidhjen me Preshevën dhe Bujanocin
Qytetarët e komunës së Prizrenit nga sot mund të bëjnë teste serologjike në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga Komuna e Prizrenit.
“Që nga fillimi i pandemisë, Komuna e Prizrenit vazhdimisht ka kërkuar që testet serologjike të kryhen edhe në qytetin tonë. Shpresojmë që Kosova të mos hyjë në valën e dytë të pandemisë, por nëse ndodh një gjë e tillë, Komuna e Prizrenit tani është gati për t’u përballur me të”, ka thënë kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj ka thënë se këto teste do të kryhen në bazë të udhëzimeve të mjekëve të institucioneve shëndetësore dhe rezultatet e tyre dalin brenda ditës.
“Këto teste do të kryhen në bazë të udhëzimeve të mjekëve të institucioneve shëndetësore. Po ashtu, do të organizohet testimi i grupeve nga shkollat, komuna e stafi mjekësor. Rezultatet e këtyre testeve dalin brenda ditës dhe aktualisht mund t’i kryejmë rreth 80 teste në ditë, të cilët mund të shtohen varësisht nga kërkesa”, ka thënë Arënliu-Hoxhaj.
Testet serologjike të cilat bëhen përmes gjakut, tregojnë nëse personi është ose ka qenë i infektuar me koronavirus dhe pasqyrojnë imunitetin e popullatës, që rrjedhimisht do të ndihmojnë në verifikimin e saktë të personave që janë infektuar me COVID-19.
(Kosova Sot Online)