Rriten rastet me COVID-19 në Itali, qeveria shpall masat e reja

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 09:59
Rriten rastet me COVID-19 në Itali, qeveria shpall masat e reja

Në mesnatë qeveria italiane ka miratuar masat e reja shtrënguese për të përballuar përhapjen e pandemisë.

Masat, që do të zgjasin për momentin 30 ditë, u firmosën personalisht nga kryeministri Giuseppe Conte, pas një marrëveshje me rajonet, shumë prej tyre dyshues deri në fund për disa prej tyre.

Maskat shndërrohen në të detyrueshme në çdo ambient të mbyllur dhe të hapur në publik, aty ku ka prani personash të tjerë. Por rekomandohet gjithsesi që edhe në ambientet shtëpiake, të mbahen masat në prani të personave që nuk i përkasin familjet.

Dhe pikërisht kjo është edhe pika më kontroverse. Masat përfshijnë tashmë edhe banesat personale, ku pengohet grumbullimi i më shumë se 6 vetave në një ambient, një kopje e të ashtuquajturit “Rule of Six” që po zbatohet në Britaninë e Madhe.   

Baret dhe restorantet duhet të mbyllin brenda mesnatës, por nga ora 21 nuk mund të shërbehen me klientë që nuk janë ulur në tavolinat e distancuara.

Nuk lejohen më aktivitetet sportive amatoriale, si kalçeto, por lejohet vrapi, ndërkohë që mbetet limiti i 1 mijë spektatorëve në stadiumet e futbollit profesionit.

Të infektuarit në vendin fqinj janë tashmë rreth 360 mijë, me më shumë se 36 mijë viktima.

(Kosova Sot Online)