Bangladeshi do ta lejojë dënimin me vdekje për dhunuesit seksualë

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 13:28
Bangladeshi do ta lejojë dënimin me vdekje për dhunuesit seksualë

Bangladeshi pritet të fusë në fuqi dënimin me vdekje për personat e dënuar për dhunim seksual pas protestave të vazhdueshme kundër dhunës seksuale në vendin e Azisë Jugore.

Të hënën, kabineti qeveritar i miratoi ndryshimet për dënimin më të lartë të lejuar për dhunuesit seksualë nga dënimi me burgim të përjetshëm në dënim me vdekje, shkruan CNN.

Dispozita e re do të futet në fuqi posa të nënshkruhet nga presidenti Abdul Hamid. Ky hap vlerësohet si formalitet.

“Sigurisht, (ligji) do të jetë parandalues për krime të tilla, përderisa ne njëkohësisht do të bëjmë përpjekje të plota për ta përshpejtuar procesin e gjykimit në rastet e dhunimit seksual në gjykatat përkatëse”, tha ministri i Drejtësisë, Anisul Huq.

Qeveria e Bangladeshit është përballur me thirrje që të bëjë më shumë për ta parandaluar dhunën seksuale pas publikimit të një videoje, ku një grup burrash shiheshin duke e sulmuar seksualisht një grua në pjesën jugore të vendit.

Sipas një organizate për ndihmë ligjore dhe të drejta të njeriut, së paku 975 gra dhe vajza janë dhunuar seksualisht vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti.

(Kosova Sot Online)