Zafir Berisha në Prizren fillon mobilizimin kundër Mytaher Haskukës

  • A.P /
  • 13 October 2020 - 15:15
Zafir Berisha në Prizren fillon mobilizimin kundër Mytaher Haskukës

Dega e Nismës Socialdemokrate në Prizren, ka akuzuar qeverisjen aktuale të Vetëvendosjes për keqmenaxhim e afera korruptive, pasi sipas tyre keqqeverisja nga VV është vërtetuar edhe në raportet e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Kjo parti e cila ka hapur zgjedhjet e brendshme në degë, fton të gjithë qytetarët t’i bashkohen në mënyrë që ta ndalin degradimin e qytetit të Prizrenit.

Komunikata e plotë pa ndërhyrje:

Nisma Socialemokrate – Dega në Prizren nga java e kaluar ka filluar mbajtjen e kuvendeve zgjedhore nëpër nëndegë, ku sipas planifikimeve mendon se deri në fund të muajit tetor të përfundojë, për t’u përgatitur më pas që javën e parë të muajit nëntor të mbajë kuvendin e degës, nga ku do të dalin strukturat e reja të Nismës Socialdemokrate në Prizren.

Nisma fton të gjithë qytetarët e Prizrenit, në veçanti intelektualët e rinj që t’i bashkohen sot frymës socialdemokrate të Nismës, në mënyrë që nesër të jenë pjesë e ndryshimeve pozitive për Prizren dhe Kosovë.

Nisma shprehet e shqetësuar që qyteti i Prizrenit është kapluar nga qeverisja e keqe e VV-së dhe partnerët minoritarë të saj, të cilët çdo ditë po e degradojnë qytetin me afera të ndryshme korruptive, duke u treguar edhe shumë të paaftë, për të cilën edhe raportet e MPL-së dhe të USAID-it, tregojnë se qeverisja e Mytës dhe VV-së kanë treguar perfomancë të dobët në arsimin parauniversitar, infrastrukturë, kulturë, sport, etj!

Zyra Kombëtare e Auditimit nxjerr në pah shumë shkelje të qëllimshme të qeverisë në Prizren ku konstatohen shkelje ligjore, keqmenaxhim të parasë publike dhe pronës komunale, shkelje këto që presim të trajtohen nga organet e drejtësisë, si shumë shkelje dhe keqpërdorime tjera që besojmë se janë duke u trajtuar, përfundon komunikata.

Në zgjedhjet e fundit lokale vërtet u mendua se erdhi dita e qytetarëve, por në fakt koha po tregon se erdhi dita e kusarëve dhe hajdutëve të rinj të VV-së dhe komisarëve politikë, të cilët po e degradojnë gjithnjë e më shumë Prizrenin në emër të gjoja ligjit dhe rregullave, siç është Rasti i Janarit të vitit 2019, kur në emër të Ligjit për Zonën Historike të Prizrenit u hoqën ndërtimet me konstruksione metalike nga shumë biznese hotelerie, të cilëve iu shkaktuan dëme të mëdha financiare, e të cilët pas disa javësh përsëri i kthyen të njëjtat ndërtime, pa qenë në dijeni askush se pse u hoqën dhe pse përsëri u vendosën.

Ndërtimet pa leje, mbindërtime, papastërtia, derdhja ujërave të zeza në Lumbardh, shkatërrimi i shumë shtëpive me karakter historik në Zonën Historike janë gjëra që po e karakterizojnë keqqeverisjen e VV-së në Prizren, e cila po kulmon me anarkinë që kanë krijuar në arsim, ku vazhdojnë me mijëra orë mësimi që humbin nxënësit prizrenas, si rezultat i ndërhyrjeve politike në rekrutimin e të punësuarve, për të cilat besojmë se janë duke u marrë ata që janë të thirrur për t’i hetuar. 

(Kosova Sot Online)