Rritja e rasteve me COVID, Prishtina mbetet vatër infeksioni

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 15:35
 Rritja e rasteve me COVID, Prishtina mbetet vatër infeksioni

Një person ka vdekur, 37 janë shëruar dhe 98 të tjerë janë infektuar me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka publikuar të dhënat e fundit rreth gjendjes me koronavirus në vend.

Në njoftimin e IKSHPK’së është bërë e ditur se në 24 orët e fundit janë testuar 685 mostra.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 685 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 98 raste pozitive. Brenda 24 orëve është raportuar një rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv (1 rast Spitali Gjakovë)”, thuhet në njoftim.

Numri i personave me COVID-19 është rritur brenda 24 orëve, ndërkaq komuna me më së shumti raste vazhdon të jetë Prishtina.

37 persona nga kryeqyteti janë konfirmuar me koronavirus në 24 orët e fundit.

“Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 37 raste, komuna Vushtrri 10 raste, komuna Drenas 9 raste, komuna Deçan 6 raste, komuna Mitrovicë 6 raste, komuna Fushë Kosovë 4 raste, komuna Gjilan 4 raste, komuna Prizren 4 raste, komuna Lipjan 3 raste, komuna Malishevë 3 raste, komuna Ferizaj 2 raste, komuna Podujevë 2 raste dhe me nga një rast komunat Hani i Elezit, Istog, Kamenicë, Klinë, Pejë, Shtime, Skenderaj dhe Suharekë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.

Ndërkohë, numri total i rasteve pozitive është 16.345 raste nga 75.973 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 649 raste të vdekjes.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.405 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.291.

(Kosova Sot Online)