Njihet si i qetë, por Hoti dje nuk e kurseu opozitën, këto janë momentet e përplasjes

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 16:37
 Njihet si i qetë, por Hoti dje nuk e kurseu opozitën, këto janë momentet e përplasjes

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës pati përplasje të shumta me njëri-tjetrin, por nuk munguan as ato mes kryeministrit Hoti dhe deputetëve.  Pas raportimit të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti rreth çështjes së dialogut, i replikoi shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili i tha se katër herë Hoti flet për transparencë dhe nuk tregon asgjë.

Pavarësisht se Hoti njihet si një politikan i qetë e i cili s’përfshihet në përplasje, gjatë ditës së hënë në seancën e Kuvendit ka qenë i ashpër me opozitën dhe është përplasur me shumë deputetë.

“Rexh unë këtu jam, po të dëgjoj, edhe juve edhe deputetin para jush, 90 për qind e keni fjalimin me epitete të ndryshme se si me sha qeverinë, qysh me u drejtu. Kur shkon te shpija ngoje fjalimin tënd dhe shihe se qashtu është. Rexh edhe 100 herë me ardhë këtu të njëjtën sen ka me ta thanë, që dialogu zhvillohet për njohje reciproke”, thotë Hoti duke buzëqeshur.

Çështja e të pagjeturve u bë shkak që të vazhdojnë përplasjet mes Hotit dhe deputetëve. Kryeministrit Hoti ka pasur përplasje edhe me deputeten e VV-së, Saranda Bogujevci, e cila i tha se nuk mundet ta trajtojë çështjen e personave të pagjetur në të njëjtën temë me njohjen reciproke.

“Nuk mundesh me thanë njohje receprike e me trajtu çështjen e të pagjeturve në të njëjtën temë, nuk funksionon qashtu. Ti duhet me i kërku Serbisë me të jep informata se ku gjenden trupat e të zhdukurve. Bonu gati zotni se ki punë në këtë drejtim, nuk mjafton veç me shku me bo muhabet e me thanë se po flasim për personat e pagjetur”, tha Bogujevci.

Por, kryeministri Hoti tha se Bogujevci nuk duhet ta përdorë këtë çështje të ndjeshme për ta sharë atë.

“Unë po mundohem me ju kuptu por besomni që nuk keni të drejtë, tash edhe nuk po doni me dëgju realisht. Sa orë kaloj unë me komisionin qeveritar për personat e pagjetur, çfarë ndjenje kom pas unë kur kam hyrë në Institucionin e Mjekësisë Ligjore t’u i pa mbetjet mortore, nuk dalë para mediave t’u thon këto, nuk m’ke dëgju tu i thonë, se nuk flasë asnjëherë. Punoj natë e ditë derisa ta mbylli këtë çështje. Është shumë e ndjeshme, prandaj ju kisha lut mos e përdorni për me m’sha mu për këtë punë”, tha Hoti. 

Përplasje pati edhe me deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri, rreth marrëveshjes me Serbinë. Hoti i tha se marrëveshja përfundimtare me Serbinë nuk ka me qenë me qindra faqe vulominoze, pasi sipas tij, marrëveshja nuk është proces teknik.

Tahiri kërkoi që kryeministri Hoti t’i ndajë paraprakisht me deputetët draftet e marrëveshjes. Por, për këtë, kryeministri kishte një replikë ndaj Tahirit.

“Zotri Tahiri, tash ti mundesh me m’pyt kush ma ka shkruar fajlimin që unë e lexova në fillim të seancës, edhe atë mundesh me m’pyt, ke të drejtë, por ty ajo punë nuk të intereson. Ty të intereson çka them unë drejt këtu para juve”, tha Hoti në seancën e djeshme.

Replikat vazhduar deri sa u kërkua edhe shkarkimi i Driton Selmanajt. Deputetja e PDK-së, Besa Ismajli, i kërkoi kryeministrit që ta shkarkojë zëvendëskryeministrin Selmanaj.

“Dy herë, zëvendëskryeministri doli në foltore dhe na shikonte në sy dhe thoshte se s’kam thënë. Detyrohem që të lexojë në tërësi emalin që ka ardhur nga zyra e tij. E kam kursyer edhe në debatet televizive jo për të, por më vinte keq nga familjet e pagjeturve atë cfarë ka thënë dhe ka dalë nga zyra e tij. Zotri kryeministër nëse jeni në krye të detyrës dinjitetshëm sic po pohoni, këtë zv.kryeministër shkarkoni menjëherë”, tha Ismajli, teksa ia lexoi emailin që Driton Selmanaj kishte kundërshtuar të raportojë për çështjen e të pagjeturve në komision.

Por, pas gjithë kësaj replike, zëvendëskryeministrit Selamanaj e ‘thumboi’  kryetaren e komisionit për të pagjeturit, Duda Balje, duke i thënë se nuk e flet dhe nuk e kupton gjuhën shqipe.

 “Kushdo që flet shqip dhe kupton shqip këtë e kamë thënë. Unë nuk jam befasu nga kryetarja e Komisionit Duda Balje që nuk më ka kuptuar drejt, sepse nuk flet shqip dhe nuk kupton shqip, por nga deputet tjerë me të vertet jam ndje keq dhe po ndjehem edhe sot , me të vërtet është temë e ndjeshme”, shtoi Selmanaj.

(Kosova Sot Online)