Twitteri bllokon llogaritë e rreme të përkrahësve me ngjyrë të Trumpit
Rrjeti social, Twitter, e ka bllokuar një numër të llogarive të rreme, të cilat ishin hapur me qëllim të paraqitjes së përkrahjes së personave me ngjyrë për presidentin amerikan, Donald Trump.
Gjiganti i rrjeteve sociale tha se këto llogari i shkelën rregullat e faqes kundër manipulimit. Shumë prej llogarive kishin gjuhë të njëjtë, përfshirë fjalinë “Po, unë jam person me ngjyrë dhe do të votoj për Trumpin”.
Zyrtarët e këtij rrjeti nuk e treguan numrin e saktë të llogarive që u pezulluan apo burimin e tyre, shkruan BBC
Sidoqoftë, në njoftim u tha se kjo veprimtari do të vazhdojë të hetohet dhe më shumë llogari mund të bllokohen, nëse zbulohet se ato janë duke i shkelur politikat e rrjetit të njohur social.
Darren Linvill, hulumtues i keqinformimit në rrjetet sociale, i angazhuar në Universitetin Clemson, zbuloi më shumë se 20 llogari të tilla, të cilat kishin krijuar mbi 265.000 ripostime në Twitter.
Disa prej këtyre llogarive kishin fotografi të personave me ngjyrë, të cilët kishin dalë në lajme. Disa llogari kishin dhjetëra mijëra ndjekës.
Linvill i tha agjencisë Reuters se shumica e këtyre llogarive janë hapur në vitin 2017, por janë bërë më aktive në dy muajt e fundit.
Sipas tij, të gjitha llogaritë që ka qenë duke i vëzhguar janë bllokuar, por ato tashmë e kanë dhënë efektin e tyre.
(Kosova Sot Online)
