Lekaj reagon për tragjedinë që ra mbi familjen deçanase

  • A.P /
  • 14 October 2020 - 10:05
Lekaj reagon për tragjedinë që ra mbi familjen deçanase

Dy vëllezër nga Deçani janë goditur dje për vdekje nga treni në një qytet të Gjermanisë. Sipas njoftimit të mediave gjermane, njëri nga vëllezërit është 13 vjeç ndërsa tjetri 17.

Pas këtij rasti tragjik ka reaguar edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili ka publikuar edhe një foto ku shihen dy vëllezërit.

Lekaj ka thënë se të gjithë qytetarët janë të tronditur rëndë nga tragjedia që ndodhi në Gjermani ku humbën jetën dy fëmijët e Familjes Arifaj nga Deçani.

“Gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë të tronditur rëndë nga tragjedia që ndodhi në Gjermani ku humbën jetën dy fëmijët e Familjes Arifaj nga Deçani. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për Familjen Arifaj, Deçanin dhe gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Lekaj.

Ndryshe, bazuar në informacionet e para, të dy të rinjtë po tentonin që të zinin trenin i cili ishte në stacion, për këtë arsye të dy kishin vrapuar drejt shinave. Ata u goditën nga një tren që po vinte drejt Mynihut dhe lëndimet e marra ishin fatale pas goditjes.

Detaje se si ka ndodhur rasti ka dhënë edhe Policia e Gjermanisë.

“Ngjarja ka ndodhur në orën 7:30 të mëngjesit. Fëmijët kanë kaluar shiritin i cili ishte i vendosur në mënyrë që të kapin një tren, por një tjetër i cili ishte në anën e kundërt, ka ardhur dhe i ka shkelur. Me rastin tani po merret Policia”, tha oficeri i Policisë që është në vendin e ngjarjes.

(Kosova Sot Online)