Rusia demanton ShBA-në: S’kemi bërë marrëveshje për armët bërthamore, s’ka gjë para zgjedhjeve
Rusia të martën e kundërshtoi vlerësimin e administratës së Trumpit që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë arritur marrëveshje gjentëlmenësh për vazhdimin e afatit të traktatit për kontrollin e armëve dhe mohoi se një gjë e tillë mund të arrihet para zgjedhjeve presidenciale në ShBA.
I dërguari i posaçëm presidencial i Shteteve të Bashkuara për kontrollin e armëve, Marshall Billingslea, të martën tha se beson që ekziston një marrëveshje në parim e nivelit më të martë mes dy qeverive.
Sipas tij, marrëveshja parasheh që Shtetet e Bashkuara ta zgjasin afatin e traktatit Start për një periudhë të caktuar, me kusht që Rusia ta ngrijë arsenalin e vet bërthamor, shkruan CNN.
Ndaj kësaj deklarate reagoi shpejt zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Rybakov, i cili tha se ngrirja e arsenalit është e papranueshme, raporton agjencia shtetërore RIA Novosti.
“Pozicioni i ShBA-së në favor të ngrirjes (së arsenalit bërthamor) ka qenë i njohur për ne për një kohë të gjatë, kjo është e papranueshme për ne”, tha Rybakov.
Për më tepër, ky zyrtar tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë marrëveshje për kontrollin e armëve strategjike me Moskën para zgjedhjeve të nëntorit.
“Nëse amerikanët kanë nevojë të raportojnë diçka para eprorëve të tyre rreth pretendimeve për arritjen e një marrëveshjeje me Federatën Ruse para zgjedhjeve të tyre, atëherë ata nuk do ta kenë atë”, tha ai.
(Kosova Sot Online)
