Pas protestave të dhunshme, jep dorëheqje presidenti i Kirgistanit

  • E.K /
  • 15 October 2020 - 11:09
Pas protestave të dhunshme, jep dorëheqje presidenti i Kirgistanit

Presidenti i Kirgistanit, Sooronbai Jeenbekov, dha dorëheqje nga posti më i lartë në vend të enjten pas trazirave rreth zgjedhjeve të kontestuara, duke thënë se dëshiron t’i parandalojë përplasjet mes forcave të sigurisë dhe protestuesve, të cilët e kanë kërkuar largimin e tij nga pushteti.

Ai u bë presidenti i tretë i vendit të vogël të Azisë Qendrore që rrëzohet nga pushteti përmes protestave në 15 vjetët e fundit. Kirgistani u përfshi nga trazirat nga zgjedhjet parlamentare të 4 tetorit.

Opozita e kundërshtoi rezultatin e garës, sipas të cilit fitues ishin aleatët e presidentit të deritashëm, Jeenbekov, shkruan Reuters.

Përmes një deklarate, politikani që dha dorëheqje tha se ka frikë që mund të shpërthejë dhuna, nëse protestuesit kërcënojnë se do të marshojnë në kompleksin e ndërtesave presidenciale.

“Nuk dua të hyj në historinë e Kirgistanit si president që derdhi gjak dhe që i qëlloi qytetarët e vet me armë”, tha ai.

Pas zgjedhjeve, përkrahësit e opozitës dolën në rrugë dhe u futën me dhunë në ndërtesat qeveritare, duke i detyruar autoritetet që ta anulojnë rezultatin e zgjedhjeve.

(Kosova Sot Online)