Vala e dytë e koronavirusit shpërthen në Evropë, në Kosovë nuk ndalen dasmat

  • E.K /
  • 16 October 2020 - 08:19
Vala e dytë e koronavirusit shpërthen në Evropë, në Kosovë nuk ndalen dasmat

Vala e dytë e infektimeve me koronavirus që ka goditur Evropën, por, edhe të gjithë globin, nuk është duke iu bërë përshtypje kosovarëve

Pavarësisht se me ligj është e ndaluar, kjo nuk po i ndal kosovarët që të mos organizojnë dasma.

Në rrjete sociale dje është publikuar një video ku shihen një numër i madh i personave në një restaurant duke vallëzuar.

Personi që e ka publikuar këtë video nuk e ka zbuluar lokacionin se ku është organizuar ky aheng.

Ditë më parë për organizimin e dasmave në vend ka shkruar edhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Në Facebook, kreu i Shëndetësisë ka shkruar se rikthimi i tubimeve të qytetarëve, edhe të dasmave tradicionale, lëndon rëndë disiplinën dhe rekomandimet për pengimin dhe luftimin e virusit Covid 19.

“Dasmat, mund të bëhen burim i infeksionit dhe kjo është e palejueshme. Tri dasma janë ndërprerë dhe janë marrë masa edhe ndaj pronarëve të objekteve ku janë mbajtur ato, në Gjakovë, Junik dhe Sllatinë. Ndërsa, në lagjen Arbëria në Prishtinë, është mbyllur një lokal nate dhe po ashtu janë marrë masa edhe ndaj pronarëve të këtij lokali. Prioritet yni mbetet shëndeti i qytetarëve, për këtë kemi sjell rregullore të cilat e mbrojnë shëndetin e qytetarëve”, ka thënë Zemaj duke paralajmëruar edhe pasoja.

Që nga fillimi i pandemisë në disa rajone të Kosovës janë ndaluar disa persona të cilët dyshohet se kanë vepruar ndesh me ligjin për pandeminë, duke organizuar ahengje të ndryshme e tubime.

(Kosova Sot Online)