Joe Biden ishte në të njëjtin aeroplan me të infektuarit me Covid-19

  • E.K /
  • 16 October 2020 - 10:16
Joe Biden ishte në të njëjtin aeroplan me të infektuarit me Covid-19

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe kandidatja për nënpresidente nga partia e tij, Kamala Harris, kanë udhëtuar në aeroplanë ku kishte edhe persona që më vonë dolën pozitivë në testin për koronavirus.

Harris, e nominuar e Partisë Demokratike për nënpresidente të Shteteve të Bashkuara, menjëherë i anuloi udhëtimet për ditët e ardhshme pasi dy persona të lidhur me fushatën e saj dolën pozitivë në testin për Covid-19.

Ky lajm erdhi më herët të enjten dhe u pasua nga një deklaratë e mëvonshme e zyrtarëve të fushatës, të cilët bënë të ditur se kandidati president, Joe Biden, ka qenë në një aeroplan ku një anëtar i ekuipazhit ka dalë si i infektuar me SARS-CoV-2.

Sidoqoftë, në deklaratë thuhet se ish-nënpresidenti amerikan nuk ka qenë në mesin e kontakteve të ngushta të personit të infektuar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Kandidatja për nënpresidente raportohet se është testuar të mërkurën dhe ka dalë negative, por do të testohet përsëri.

(Kosova Sot Online)