Gjermania e tragjedive për kosovarët, Ambasada në Berlin reagon pas 5 vdekjeve

  • S.A /
  • 17 October 2020 - 08:43
Gjermania e tragjedive për kosovarët, Ambasada në Berlin reagon pas 5 vdekjeve

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka reaguar pasi pesë kosovarë kanë humbur jetën brenda kësaj jave në Gjermani si pasojë e aksidenteve tragjike.

Bëhet fjalë për dy vëllezërit nga Deçani të cilët u goditën për vdekje nga një tren derisa po shkonin në shkollë, derisa të premten mbrëma në një aksident automobilistik kanë mbetur të vdekur edhe 3 kosovarë të tjerë të cilët po udhëtonin nga Gjermania për në Zvicër.

 

Ambasada kosovare në Gjermani ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka treguar se është në kontakt me autoritetet gjermane për sqarimin e rrethanave të dy aksidenteve.

“Në Gjermani kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të rënda pesë bashkatdhetarë.

Ambasada e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe njofton që në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë është në kontakt të afërt me autoritetet gjermane për sqarimin e rrethanave të aksidenteve në Bruckerg të Bavarisë ku humbën jetën dy vëllezër dhe Meersburg të Baden-Württemberg ku sot kanë humbur jetën edhe tre shqiptarë nga Kosova gjatë udhëtimit për Zvicër”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

(Kosova Sot Online )