Apeli i Merkelit pas rekordit të rasteve me Covid-19: Rrini në shtëpi, udhëtoni minimalisht

  • E.K /
  • 17 October 2020 - 11:53
Apeli i Merkelit pas rekordit të rasteve me Covid-19: Rrini në shtëpi, udhëtoni minimalisht

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, të shtunën u ka bërë thirrje gjermanëve që t’i pakësojnë kontaktet sociale dhe udhëtimet t’i mbajnë në nivel minimal pas rekordit të rasteve ditore të koronavirusit.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta parandaluar daljen e përhapjes së virusit nga kontrolli. Secila ditë vlen”, tha kancelarja gjermane përmes fjalimit të përjavshëm.

Ndonëse Gjermania zakonisht ka pasur shifër më të ulët të rasteve në krahasim me vendet tjera të mëdha të Evropës, ajo shënoi rekord të personave të infektuar për 24 orë me 7.830 raste, shkruan The Guardian.

“Ne duhet të shkojmë më tutje. Ju bëj apel: takohuni me më pak njerëz, qoftë në shtëpi apo jashtë. Ju lutem, hiqni dorë nga cilido udhëtim që nuk është absolutisht thelbësor, nga çdo ndejë që nuk është absolutisht thelbësore. Qëndroni në shtëpi kur keni mundësi”, tha politikania e njohur.

Liderët rajonalë nuk arritën marrëveshje këtë javë për masa të reja të përbashkëta për parandalimin e përhapjes së virusit. Gjykatat në disa rajone kanë marrë vendime për shfuqizimin e kufizimeve të vendosura nga qeveria qendrore.

Politikanët dhe ekspertët shëndetësorë u kanë bërë apel njerëzve që të marrin masa vullnetare, përtej atyre që janë caktuar nga autoritetet, përfshirë vendosjen e maskave, shmangien e kontakteve të ngushta me të tjerët dhe pastrimin e duarve.

(Kosova Sot Online)