Edhe Polonia shënon rekord të rasteve ditore me Covid-19

  • E.K /
  • 17 October 2020 - 12:07
Edhe Polonia shënon rekord të rasteve ditore me Covid-19

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Polonisë, gjatë 24 orëve të kaluara në këtë shtet janë regjistruar 9.622 raste të reja të koronavirusit, që është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Kështu, numri i përgjithshëm i personave të infektuar shkoi në 167.230, ndërsa 3.524 njerëz kanë vdekur nga sëmundja Covid-19 në shtetin me rreth 38 milionë banorë.

Der itë shtunën, 7.612 të infektuar ndodhen në spitale, prej të cilëve 604 janë në ventilatorë për shkak të gjendjes më të rënduar. Një ditë më parë, numri i pacientëve në ventilatorë ishte 540.

Pavarësisht numrit rekord të rasteve, punëtorët e sallave të fitnesit protestuan në Varshavë kundër masave të reja kufizuese, shkruan The Guardian.

Polonia fillimisht ishte e suksesshme në parandalimin e përhapjes së madhe të virusit, por së fundi është përballur me rritje të konsiderueshme të shifrave të infeksioneve dhe viktimave, duke rrezikuar që sistemi shëndetësor të mbingarkohet.

Gjatë kësaj jave, qeveria polake u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe urdhëroi që sallat e fitneseve dhe pishinat të mbyllen, restorantet ta kufizojnë orarin e punës, ndërsa mësimi në universitete e shkolla të mesme të zhvillohet përmes internetit, nga largëria.

Qeveria është gjithashtu duke i shqyrtuar mundësitë për ndërtimin e spitaleve të reja dhe dhurimin e shtesave në paga për mjekët që përkujdesen për pacientët e prekur nga sëmundja e re respiratore.

Autoritetet kanë thënë se po përpiqen ta shmangin izolimin e plotë, por ekspertët kanë vlerësuar se një gjë e tillë mund të jetë e pamundshme, nëse situata bëhet kritike.

Përpos Polonisë, rekorde të shifrës ditore të rasteve të shtunën shënuan edhe Gjermania, Çekia dhe Ukraina.

(Kosova Sot Online)