SHBA: Mbi 8 milionë infektime nga koronavirusi

  • E.K /
  • 17 tetor 2020 - 17:52
SHBA: Mbi 8 milionë infektime nga koronavirusi

Rastet e përditshme të COVID-19 kanë arritur nivele rekord në të gjithë botën, veçanërisht në Evropë dhe kontinentin amerikan, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë të premten.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha gjatë një konference për shtyp në Gjenevë se një numër rekord rastesh u raportuan në secilën prej katër ditëve të fundit.

“Duhet të kemi parasysh se kjo është një pandemi e pabarabartë,” tha Ghebreyesus. “Vendet kanë reaguar ndryshe dhe vendet janë prekur ndryshe. Pothuajse 70% e të gjitha rasteve të raportuara në shkallë globale javën e kaluar ishin nga 10 vende, dhe pothuajse gjysma e të gjitha rasteve ishin nga vetëm tre vende.”

Shtetet e Bashkuara kishin më shumë infeksione të reja gjatë një periudhe 24-orëshe se çdo vend tjetër, me 63,610, me numrin e përgjithshëm të rasteve të premten në mbi 8 milionë, numri më i lartë në gjithë botën, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.

SHBA gjithashtu ka numrin më të madh të viktimave nga COVID-19, me mbi 218,000 të vdekur, raporton Voa.

Rritje në pesë shtete

Fluksi në Shtetet e Bashkuara i atribuohet rritjes së niveleve të infeksionit në shtetet e Teksasit, Ilinoit, Uiskonsit, Floridës dhe Kalifornisë, sipas të dhënave të mbledhura nga Johns Hopkins.

India regjistroi 63,371 raste të reja të Premten, ndërsa pati gjithashtu rritje të ndjeshme të numrit të infeksioneve në Francë, Brazil dhe Britani.

Rritje shqetësuese në Evropë

Maria Van Kerkhove e OBSH-së u tha gazetarëve të Premten se 80% e vendeve të Evropës po përjetonin rritje të ndjeshme në rastet e COVID-19.

Në Britani, ku Universiteti Johns Hopkins raportoi gati 19,000 raste të reja të premten, Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se do ta detyronte Mançesterin e Madh të vendoste nivelin më të rreptë të kufizimeve të koronavirusit të vendit pasi zyrtarët lokalë refuzuan të vendosnin kufizime në zonat me norma të larta infektimi.

Të shtunën, Franca do të fillojë një ndalim-qarkullim nga ora 21:00 deri në 6 të mëngjesit për rajonin e Parisit dhe të paktën shtatë qytete të tjera: Lion, Grenoble, Aix-en-Provence, Montpelie, Lilë, Rouen dhe Saint-Etienne. Ndalim-qarkullimi do të qëndrojë në fuqi për të paktën katër javë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 shteteve të vendit kanë rënë dakord të vendosin një raund të ri kufizimesh në mbarë vendin pasi panë raste të reja rekord të COVID-19. Kufizimet përfshijnë mbylljen herët të bareve dhe restoranteve dhe kufizimin e numrit të njerëzve që lejohen të mblidhen në publik.

Merkel tha të Premten se një samit i planifikuar i Bashkimit Evropian mbi politikën e Kinës të bllokut 27-vendesh në Berlin muajin e ardhshëm ishte anuluar për shkak të pandemisë së ringjallur.

Italia raportoi më shumë se 10,000 infeksione të reja gjatë 24 orëve të fundit të Premten, numri më i lartë ditor që nga fillimi i pandemisë në vend. Italia ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në Evropë pas Britanisë, duke raportuar më shumë se 36,400 vdekje që nga fillimi i pandemisë në shkurt.

Që nga mesdita e së Premtes, kishte më shumë se 39 milion raste COVID-19 në të gjithë botën dhe më shumë se 1.1 milion vdekje globale COVID-19, sipas Universitetit Johns Hopkins.

(Kosova Sot Online)