Këto janë sekretet e tmerrshme që Sheshel i kishte nxjerrë për Aleksander Vuçiqin

  • E.K /
  • 19 October 2020 - 10:29
Këto janë sekretet e tmerrshme që Sheshel i kishte nxjerrë për Aleksander Vuçiqin

Ish-shefi i presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lideri i radikalëve serbë dhe i dënuari i Gjykatës së Hagës për Krime Lufte në Kroaci, Vojislav Sheshel, në një përshkrim të figurës së Vuçiqit ka thënë se “ai (Vuçiqi) ka blerë çfarëdo libri që ka gjetur në internet për t’i manipuluar mediat”.

Deklarimet e radikalit Seselj janë bërë pak vjet pas ndarjes së Partisë Radikale Serbe (SRS), kur ish-presidenti Nikoliq dhe presidenti i tashëm Vuçiq krijuan Partinë Përparimtare Serbe (SNS) duke marrë shumicën e votave në disa zgjedhje parlamentare në Serbi. Seselj ka thënë se Vuçiqi është manipulues me njerëzit përmes “premtimeve të rrejshme të tij”.

“Vuçiqi është i shkolluar. Vuçiqi është manipulues i madh i mediave. Për dallim nga Toma Nikoliq (ish-presidenti i Serbisë, vj), i cili kur s’ka dashur të lexojë libra, megjithëse gjithnjë e kam shtyrë, i kam sugjeruar literaturë të caktuar, Vuçiqi pandërprerë ka punuar për ngritjen e vetes. Ai ka porositur përmes internetit çdo gjë që ka mundur të gjejë mbi manipulimin mediatik, mbi manipulimin e njerëzve. Dhe ai kështu ka krijuar, e kjo sot shihet, një fuqi e frikshme. Ai tani manipulon me të gjitha mediat në Serbi. Ai manipulon me të gjithë popullin në Serbi. Ai, thjesht, me ato premtimet e tij të rrejshme ka arritur ta manipulojë pjesën më të madhe të qytetarëve dhe ka arritur një popullaritet të madh, pa dyshim”, ka thënë Seselj disa vjet më parë, pasi Gjykata për Krime Lufte në ish-Jugosllavi e shpalli fajtor për krime kundër njerëzimit.

Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i Informatave në Qeverinë e Serbisë në vitin 1998, u zgjodh në detyrën e presidentit në vitin 2017 pas disa vjet udhëheqjeje të qeverisë së vendit. Aktualisht është figura më e fuqishme në skenën politike në Serbi dhe vlerësohet se ka në kontroll pjesën më të madhe të mediave, kryesisht ato me valë kombëtare.

Partia e tij, Përparimtare Serbe, në zgjedhjet e fundit parlamentare në qershor 2020 ka fituar mbi 60 për qind të votave, në një atmosferë që është cilësuar “e frikës dhe intimidimit”. Në zgjedhje nuk morën pjesë një numër i partive opozitare, kurse ato nga vëzhgues ndërkombëtarë u cilësuan “si zgjedhje që kanë përmbushur minimumin e standardeve demokratike, por që rrezikojnë demokracinë”.

Një Institut Suedez, “V-Dem”, në shtator 2020 e ka cilësuar Serbinë si një “autokraci elektorale” duke e radhitur atë në vendin e 139 nga 179 shtete të përfshira në Indeksin e Demokracive Liberale. Instituti ka theksuar se Serbia është e radhitur më së keqi nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Serbia përpos se ka kryer gjenocid në Bosnjë, ka bërë të njëjtën edhe më 1998-’99 në Kosovë, duke vrarë më shumë se 13 mijë njerëz, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq dhe pati deportuar më shumë se një milion shqiptarë nga Kosova.

Aleksander Vuçiq, politikani më i fuqishëm i Serbisë, dikur kishte shërbyer si “konobar” i Vojsllav Sheshelit e Sllobodan Millosheviqit. Gjatë luftës kishte mbajtur edhe pozitën e ministrit të Informatave dhe kishte udhëhequr propagandën e Serbisë në Kosovë. Pas rënies së Millosheviqit dhe Sheshelit, nxënësi i tyre arriti të rikthehet në politikë dhe të bëhet edhe shef i Serbisë. Vuçiqi, aktualisht në Serbi, kontrollon gjithçka. Udhëheq qeverinë, mban në kontroll Shërbimin Sekret dhe ushtrinë si dhe ka gjunjëzuar mediat e pavarura atje.

Fotografia ku Vuçiqi shihet teksa i furnizon me birra Sheshelin dhe Nikoliqin vazhdon të përqeshet edhe sot e kësaj dite.

Gjatë gjenocidit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Vuçiqi kishte lëshuar një deklaratë e cila kujtohet edhe sot e kësaj dite. “Për një serb të vrarë, duhet të vriten 100 myslimanë”, ishte deklarata shokuese e Vuçiqit.

Pas orvatjeve të shumta nëpër zyrat e partisë dhe rolit të ‘konobarit’, në marsin e vitit 1998, gjatë kohës së luftës në Kosovës, Vuçiqi ishte emëruar ministër i Informacionit, duke udhëhequr kështu propagandën e Serbisë në Kosovë.

(Kosova Sot Online)