Hoti i thur lavde Policisë pak ditë pasi e shkarkoi Rashit Qalajn

  • E.K /
  • 19 October 2020 - 11:01
Hoti i thur lavde Policisë pak ditë pasi e shkarkoi Rashit Qalajn

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pasur fjalë të mira për Policinë e Kosovës dhe performancën e tyre, pak ditë pasi e shkarkoi nga kreu i këtij institucioni tash ish-drejtorin Rashit Qalaj.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka organizuar sot një ceremoni solemne me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, duke iu referuar statistikave të fundit, ka thënë se ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe, sipas tij, kjo ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve.

“Trafikimi me njerëz është shkelje fondamentale e të drejtave të njeriut. Prandaj parandalimi është prioritet i Qeverisë pasi kjo i lëkund themelet e shoqërive demokratike – në fakt vazhdon të jetë problem edhe në vendet e zhvilluara perëndimore”.

“Padyshim se trafikimi me njerëz i lëndon viktimat, i dëmton ekonomitë tona dhe forcon krimin e organizuar. Ekziston një kornizë e plotë ligjore për luftimin e kësaj dukurie. Parandalimi i këtij krimi duhet të ndodhë me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni ynë në fuqi. Kapaciteti ynë veprues duhet të avancohet në përputhje me zhvillimet e reja”.

“Referuar statistikave të fundit, ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe sigurisht se kjo ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve”.

“E përgëzoj Policinë e Kosovës dhe të gjitha strukturat që kanë qenë të përfshira në luftimin e kësaj dukurie”.

“Është e nevojshme ta kemi një koordinim të plotë institucional për ta luftuar këtë dukuri. Përtej këtij bashkëpunimi të brendshëm, nevojitet edhe bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar”, ka thënë Hoti.

Këto deklarime të Hotit vijnë vetëm pak ditë pas shkarkimit të Qalajt që siç ka raportuar media ka ndodhur për shkak të performancës së dobët.

(Kosova Sot Online)