Lajçak: Italia një zë i rëndësishëm për suksesin e dialogut Kosovë-Serbi

  • E.K /
  • 20 October 2020 - 14:07
Lajçak: Italia një zë i rëndësishëm për suksesin e dialogut Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar zyrtarë italianë gjatë një vizite zyrtare në këtë shtet.

Lajçak ka thënë se Italia mbetet një partner kyç dhe një zë i rëndësishëm në BE sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

“Italia është një partner kyç në Ballkanin Perëndimor dhe një zë i rëndësishëm i BE’së për suksesin në dialog. Kjo është ajo çfarë kam shprehur në të gjitha takimet e mia në Romë sot”, ka shkruar Lajçak.

Emisari i BE’së javën që shkoi qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë dhe Serbi.

Diplomati sllovak ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësuesit politik të Kosovës të cilëve ua ka ripërsëritur qëndrimin se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe ashtu siç është nënshkruar në Bruksel.

(Kosova Sot Online)