Pesë OJQ reagojnë ndaj anëtarëve të VV-së pas deklarimeve për komunitetin LGBTI

  • E.K /
  • 20 October 2020 - 14:19
Pesë OJQ reagojnë ndaj anëtarëve të VV-së pas deklarimeve për komunitetin LGBTI

Pesë organizata joqeveritare kanë reaguar ndaj anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për shkak të disa deklarimeve për komunitetin LGBTI.

“Leonora Shabani-Bajraktari, asambleiste e Kuvendit Komunalë të Prishtinës, duke iu referuar një video vetëdijësuese të publikuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë ku promovohen të drejtat e personave LGBTI, më saktësisht martesat mes seksit të njëjtë, përmes një statusi në Facebook thotë se një promovim i tillë është “i tepërt”

“Po ashtu, Eman Rrahmani, deputet i Kuvendit të Kosovës, del kundër ‘Paradës së Krenarisë’ me qëndrime të tilla se ‘Nuk ka më mirë se të jesh prind, të thërrasë nënë, babë, vajzë, djalë, gjysh, gjyshe….! Angazhimi im politik ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve tanë, angazhimi im politik bëhet për një familje ku ka nënë, babë, djalë, vajzë, gjyshe, gjysh’.

“Organizatat e shoqërisë civile, Qendra për Liri dhe Barazi (CEL), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) dhe Civil Rights Defenders (CRD) besojnë që këto deklarata janë tërësisht të papranueshme dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase ofendimi, jo-toleranca i një grupi të caktuar shoqërorë nuk paraqet asnjë vlerë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Prandaj, si mbrojtës të të drejtave të njeriut, organizatat i janë drejtuar VV-së duke kërkuar që të japin përgjigje nëse deklaratat në mediat sociale, janë edhe qëndrime të VV-së.

“Për më tepër, në rastin e LVV, si partia më e votuar në zgjedhjet e fundit, ne besojmë që është përgjegjës dhe duhet të tregoj kujdes dhe vetëpërmbajtje më të madhe nga anëtarët e saj kur japin deklarata të tilla”, thuhet në komunikatën e tyre. 

(Kosova Sot Online)