“A e ke ftu me e shti në provim për ekonomi?”, VV e PDK përplasen në Komision

  • E.K /
  • 20 October 2020 - 14:26
“A e ke ftu me e shti në provim për ekonomi?”, VV e PDK përplasen në Komision

Një pyetje e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Muratit për ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka shkaktuar përplasje në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Pasi Beqaj disa herë gjatë raportimit tha se është për privatizimin e aseteve shtetërore, duke e përmendur ekonominë e lirë të tregut, Murati e pyeti atë se çfarë kupton me treg. Kjo pyetje e ka nervozuar deputetin e PDK-së, Sejdi Hoxhën, i cili ka ndërhyrë duke e pyetur deputetin e LVV-së se çfarë lidhje ka kjo me procesin e privatizimit.

“E përmendët disa herë çështjen e ekonomisë së tregut të lirë. Meqenëse jeni edhe profesor, çka konstituon tregu sipas jush? Çka quajmë treg?”, e pyeti Murati ish-ministrit, ndërsa menjëherë ndërhyri deputeti i PDK-së.

“Çfarë relevance ka kjo me privatizim bre? A e ke ftu me e shti në provim për ekonomi?”, iu drejtua Hoxha – Muratit, duke shtuar se “profesor Beqaj na mban ligjëratë për këtë punë”.

Në përgjigje, ish-ministri Besim Beqaj tha se anëtarët e këtij komisioni që s’e dinë se çfarë është ekonomia e tregut, mund të shkojnë në fakultetin ku ai ligjëron.

“Besoj që të gjithë duhet ta dini se çfarë është ekonomia e tregut. Për të gjithë ata që nuk kanë njohuri bazike për ekonominë, mund të vijnë në fakultet për ligjërata”, tha Beqaj.

Pas kësaj, kryesuesi i komisionit, Hajrulla Çeku ia tërheqi vërejtjen ministrit se po përdor gjuhë fyese ndaj deputetëve.

“Gjuha ofenduese ndaj deputetëve nuk është e lejueshme. Kështu që po ua tërheq vërejtjen një here. Mos më detyroni ta bëj”, tha Çeku.

Ndërsa kur e mori fjalën sërish, deputeti Hekuran Murati tha se pyetja e tij ishte retorike.

“Pyetja ishte retorike. Nuk është që nuk e dime, por pyetja ishte retorike meqenëse dua të arrijmë në një konstatim për të pare nëse ju e keni kuptuar si duhet çështjen e tregut”, tha Murati. 

(Kosova Sot Online)