Beqaj s’përgjigjet për privatizimin e KEDS-it: S’bëj komente që nuk i di, nuk më kanë interesu fort

  • E.K /
  • 20 October 2020 - 14:52
Beqaj s’përgjigjet për privatizimin e KEDS-it: S’bëj komente që nuk i di, nuk më kanë interesu fort

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj nuk është përgjigjur në pothuajse asnjërën prej pyetjeve të deputetëve anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë lidhur me çështjen e shitjes së KEDS-it.

Beqaj është pyetur për çmimin e shitjes së kësaj ndërmarrjeje dhe për fitimet e saj pas privatizimit, ndërsa ka thënë se nuk përgjigjet derisa kjo çështje të marrë epilog në gjykatë.

“Lidhur me privatizimin e KEDS-it unë nuk përgjigjem sepse konsideroj se është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Beqaj.

Këtë përgjigje ai e ka përsëritur disa herë në pyetjet e vazhdueshme të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Muratit, duke thënë se “çdo përgjigje e imja mund të ketë implikim dhe për këtë arsye nuk mund të përgjigjem”.

Disa nga pyetjet, Beqaj i ka këshilluar deputetët t’i adresojnë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), derisa për fitimet e KEDS-it tha se nuk di detaje dhe nuk i interesojnë.

“Besoj që të gjithë ju keni mundësi që të gjitha këto informacione t’i merrni nga ZRRE-ja.. Prandaj unë nuk mund të bëj komente që nuk i di, nuk më kanë interesu fort”, tha Beqaj.

Beqaj është në listën e të akuzuarve në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për procesin e privatizimeve të aseteve publike gjatë Qeverisë Thaçi 2.

Ish-ministrat Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka si dhe 14 persona zyrtarë akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Beqaj në komisionin parlamentar tha se do të mund t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve pasi kjo çështje të marrë epilog përfundimtar nga gjykata.

“Kurdo që përfundon kjo temë, jam i gatshëm të vij dhe të përgjigjem një javë”, tha Beqaj.

Kryesuesi i këtij komisioni, Hajrulla Çeku e ka kritikuar vazhdimisht ish-ministrin se po refuzon të përgjigjet pa nevojë.

(Kosova Sot Online)