Osmani i jep vërejtje Selimit, ministri: Do ta marrë seriozisht këshillën tënde

  • E.K /
  • 21 October 2020 - 11:45
Osmani i jep vërejtje Selimit, ministri: Do ta marrë seriozisht këshillën tënde

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka reaplikuar me kryeparlamentaren Vjosa Osmani lidhur me qasjen ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Selimi e ka paraqitur sot para deputetëve në seancën e Kuvendit, projektkodin civil të Kosovës, duke dhënë detaje se çka përfshihet në këtë kod.

Pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni e kritikoi Selimin, e më pas ky ia ktheu duke e këshilluar që ta lexojë kodin civil, kryeparlamentarja Osmani reagoi duke ia numëruar disa vërejtje Selimit për qasjen ndaj deputetëve.

Osmani e cilësoi të papranueshme mënyrën se si Selimi po kërkon ta miratojë këtë kod civil, ndërsa e këshilloi ata që të bashlëpunojë me deputetët.

“Ministër Selimi ju rekomandoj miqësisht që në vend se të akuzoni deputetët që nuk e lexojnë kodin, uluni e punoni me ta sepse do të ju duhen deputetët. Duke e ditur sesa i rëndësishëm është kodi civil, nuk është qasje e pranueshme që të vini në Kuvend për të kaluar këto projekte të rëndësishme, e në vend që t’i akuzoni deputetët ju duhet ti bindi ata që ta votojnë këtë Kod”, tha Osmani.

“Të uleni dhe të punoni me ta, sepse do t’ju duhet të punoni me ta… Uluni dhe punoni me deputetët, e mos i akuzoni”, theksoi ajo.

Në replikë, Selimi tha se do ta përfillë këshillën e kryeparalemntares, por tha se ai është shembull për bashkëpunim me deputetët.

“Faleminderit kryetare. Njihemi që një kohë dhe sigurisht se këshillën tënde do ta marrë seriozisht. Gjithashtu, është edhe një anë tjetër e medalies, kryetare. Unë kam qenë në çdo mbledhje të komisionit, sa herë që më thirrë komisioni, vij dhe raportoj. Jam i rregullt shumë. Unë e kuptoj parlamentarizmin, e ndjek parlamentarizmin”, tha Selimi.

Ai e ka konsideruar projekt nacional kodin civil, në të ciliin tha se kanë punuar pozitë e opozitë.

(Kosova Sot Online)