Turqia gjen 220 kilogramë kokainë në anijen e ardhur nga Brazili

  • G.G /
  • 21 October 2020 - 13:17
Turqia gjen 220 kilogramë kokainë në anijen e ardhur nga Brazili

Autoritetet turke kanë gjetur dhe konfiskuar 220 kilogramë kokainë në një anije që kishte ardhur nga Brazili e që ishte ndalur në një port jugor turk.

Policia në provincën bregdetare të Mersinit e gjeti sasinë e madhe të drogës të fshehur në pako të letrës. Autoritetet i kanë arrestuar dy persona të dyshuar, shkruan Reuters.

Në disa pamje të publikuara në internet shihen policët e njësisë kundër drogës me qen duke e nxjerrë kokainën nga pako që kishin mbishkrime se përmbanin letër të bardhë të formatit A4.

Turqia zakonisht përdoret si vend transit për rrugën e trafikimit të drogës nga Azia drejt Evropës Perëndimore, përfshirë trafikimin e heroinës nga Afganistani.

Sipas Ankarasë, trafikimi i drogës është një ndër burimet kryesore të financimit për grupet terroriste.

Turqia viteve të fundit e ka forcuar luftën kundër drogës pas shtimit të përdorimit të substancave narkotike dhe rritjes së numrit të vdekjeve nga përdorimi i marijuanës sintetike.

(Kosova Sot Online)