“Ti do të akuzohesh për krime lufte”- Joe Biden kishte refuzuar t’ia japë dorën Millosheviqit

  • S.A /
  • 22 tetor 2020 - 13:21
“Ti do të akuzohesh për krime lufte”- Joe Biden kishte refuzuar t’ia japë dorën Millosheviqit

Pak ditë më parë shtabi zgjedhor i Joe Biden ka publikuar platformat për Kosovën dhe Bosnjën të cilat do t’i përktheheshin në politika ndaj dy vendeve nëse kandidati demokrat do të zgjidhej President i SHBA’ve.

Tash në Prishtinë e Sarajevë po diskutohet se cili kandidat do të ishte më i favorshëm për këto dy vende, por kjo temë nuk ka kaluar pa debat as në Serbi.

Gazetari i Al Jazeera Balkans duke komentuar qëndrimet e publikuara nga Shtabi i Biden ka thënë se ato kanë ndodhur për shkak të prirjes së kandidatit demokrat për politikën e jashtme për shkak se Biden gjatë viteve 90’të ka udhëhequr Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit dhe është marrë edhe me Ballkanin.

Ndërkohë që Trump nuk është marrë asnjëherë me politikë para vitit 2016. Po ashtu, thuhet se me këto platforma Biden synon të përfitojë votuesit amerikanë që janë me origjinë nga Bosnja sepse i duhet secila votë. Gazetari Ivica Puljic i Al Jazeera Balkans thotë se tashmë është fakt i njohur që boshnjakët dhe kroatët me të drejtë vote në SHBA kanë një disponim pro Biden ndërkohë që serboamerikanët janë të orientuar më shumë pro Trump. Sipas Puljic, bashkëpunëtor në kampin e Biden është bashnjaku Elvir Krepic i cili merret me cështjet etnike.

Duke folur për Bidenin dhe Ballkanin, Pulijic thotë se kandidati demokrat është njohës fantastik i rajonit duke u angazhuar si senator për ta ndalë Millosheviqin dhe makinerinë e tij luftarake. Puljic ka folur për një takim të Biden me Millosheviqin në Beograd ku i kishte kërkuar t’i ndalë ato që po ndodhnin në Bosnjë e Kroaci, Millosheviq i kishte sugjeruar të bisedojë me Radovan Karaxhiqin për cka Biden kishte refuzuar. Ai po ashtu kishte refuzuar që Milloshevqit t’ia japë dorën para gazetarëve dhe duke i thënë që t’i do “të akuzohesh për krime lufte”.

“Pra ky është Jo Biden di të jetë i sinqertë dhe provokativ. Siç, e dini ai e ka mbështetur edhe aksionin në Kosovë respektivisht në Serbi”.

Për raportet me Millosheviq, Biden ka shkruar edhe në memoaret e tij “Promises to Keep”. Aty po ashtu thuhet se Millosheviqit në vitin 2003 ia kishte thënë troç “unë mendoj se ti je një kriminel i mallkuar lufte dhe si i tillë duhet të gjykohesh”.

Zgjedhjet në Amerikë mbahen më 3 nëntor. Aktualisht sipas të gjitha sondazheve që realizohen atje prin Biden. Fjalën e tyre pritet ta thonë edhe votuesit nga Ballkani që jetojnë në Amerikë. Analisti i njohur Daniel Serwer duke komentuar për votën e shqiptarëve dhe serbëve thotë se në kontekst të votuesve amerikanë ato janë vota margjinale. Sipas tij, në këto zgjedhje thotë se komuniteti shqiptar në Nju Jork nuk do ta bëjë ndonjë  dallim të madh pasi atje dhe qyteti dhe shteti i Nju Jorkut do të votojnë pro Bidenit. Serbët, thotë Serwer mund të kenë më shumë impakt, pasi në Ohio ka një numër më signifikant të tyre që është një “swing state” ose shtet i betejës ndërmjet dy kandidatëve.

Por, sipas Serwer popullata më e madhë serbe në qytete të mëdha si Chicago dhe Milwaukee s’do të ketë shumë impakt.

(Kosova Sot Online )