Hakerët rusë sulmojnë disa rrjete qeveritare në Shtetet e Bashkuara, vjedhin të dhëna

  • E.K /
  • 23 October 2020 - 09:35
Hakerët rusë sulmojnë disa rrjete qeveritare në Shtetet e Bashkuara, vjedhin të dhëna

Agjencitë qeveritare amerikane thanë të enjten se hakerët e sponsoruar nga Rusia janë përpjekur që të hyjnë në rrjete kompjuterike qeveritare dhe në dy raste ishin të suksesshëm.

Në një paralajmërim që erdhi më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale, këto agjenci thanë se një grup rus, i quajtur “Berserk Bear”, i ka vënë në shënjestër dhjetëra shtete dhe qeveri lokale si dhe rrjete të aviacionit.

“Së paku nga shtatori i vitit 2020, një veprues rus i sponsoruar nga shteti ka kryer një fushatë kundër një vargu të gjatë të caqeve amerikane”, thanë Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Departamenti i Sigurisë së Atdheut.

Autoritetet njoftuan se hakerët ia dolën që të sigurojnë qasje në një numër të pasaktësuar të rrjeteve dhe vodhën të dhëna nga dy prej tyre, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Emrat e qeverive lokale që janë prekur nga këto sulme nuk u bënë publikë, ndërsa Byroja Federale e Hetimeve nuk ka dhënë hollësi të tjera në lidhje me rastin.

Shumë persona në Shtetet e Bashkuara kanë qenë të shqetësuar për mundësinë e përsëritjes së rastit të vitit 2016, kur hakerët që dyshohej se punonin për inteligjencën ushtarake ruse vodhën dhe publikuan adresa elektronike të figurave të larta të Partisë Demokratike.

Drejtori për Siguri Kombëtare, John Ratcliffe, tha të mërkurën se Rusia dhe Irani janë përpjekur të ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale amerikane përmes përhapjes së dezinformatave me qëllim të dëmtimit të integritetit të garës.

(Kosova Sot Online)