Parashikimi i motit në Korenë Veriore: Kujdes nga pluhuri, mund ta sjellë koronavirusin

  • E.K /
  • 23 October 2020 - 10:05
Parashikimi i motit në Korenë Veriore: Kujdes nga pluhuri, mund ta sjellë koronavirusin

Koreja Veriore u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të qëndrojnë brenda për shkak të frikës se i ashtuquajturi pluhur i verdhë nga Kina mund ta sjellë koronavirusin.

Pas njoftimit të dhënë në një televizion të vendit komunist, raportohet se rrugët e kryeqytetit  Pjongjang ishin pothuajse të zbrazëta, shkruan BBC.

Koreja Veriore pretendon se nuk e ka asnjë rast të koronavirusit, por është nën alarm të lartë që nga janari. Autoritetet i kanë mbyllur kufijtë dhe e kanë kufizuar në masë të madhe lirinë e lëvizjes.

Sidoqoftë, shkencëtarët deri më tani nuk kanë përmendur ndonjë lidhje mes përhapjes sezonale të pluhurit dhe sëmundjes Covid-19.

Mund të tingëllojë befasuese, por Koreja Veriore nuk është vendi i parë dhe as i vetmi që bën këtë lloj paralajmërimi.

Sipas ekipit të televizionit BBC për identifikimin e informatave të rreme, edhe Turkmenistani ka kërkuar nga qytetarët që të vendosin maska për shkak të pluhurit. Autoritetet e këtij shteti aziatik kanë mohuar se po mundohen ta fshehin përhapjen e koronavirusit.

(Kosova Sot Online)