A do t’ia dalë Bashkimi Evropian ta përmbyllë marrëveshjen Kosovë – Serbi?

  • A.P /
  • 23 October 2020 - 22:34
A do t’ia dalë Bashkimi Evropian ta përmbyllë marrëveshjen Kosovë – Serbi?

Bashkimi Evropian është ndërmjetësues dhe lehtësues i dialogut Kosovë – Serbi, por shumë shpesh janë hedhur dyshime mbi fuqinë politike dhe diplomatike të këtij Unioni në mbylljen e çështjeve të hapura dhe të pambyllura midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo për arsye se disa herë dialogu midis dy palëve ka ngecur për shkak të kërkesave diametralisht të kundërta dhe qasja e Bashkimit Evropian jo-rrallë herë është konsideruar si e padrejtë ndaj Kosovës

 

Po ashtu, mos-liberalizimi i vizave për kosovarët dhe trajtimi i pabarabartë i palëve në dialog ka qenë temë diskutimi shumë shpesh në Kosovë. Një njëanësi të tillë e ka shpërfaqur edhe deklarata e emisarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak i cili gjatë vizitës së tij në Serbi është shprehur se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën që ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Por, a do t’ia dalë Bashkimi Evropian të përfundojë me sukses dialogun Kosovë – Serbi dhe t’i pajtojë këto dy vende pas një konflikti të gjatë e ende të pazgjidhur?

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri shprehet se gjithçka në dialog është bërë përmes BE-së dhe 33 marrëveshje janë produkt i lehtësimit të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka dhënë rezultate.

“Unë mendoj se gjithçka në dialog është bërë përmes BE-së. 33 marrëveshje tash e 10 vite, por këto janë rezultatet e dialogut, Kosova i ka përfitimet e veta, Serbia i ka përfitimet e veta dhe dialogu është bërë në norma obligative edhe për Kosovën dhe Serbinë sepse është bërë në Asamblenë e Përgjithshme në Kombet e Bashkuara. Pas asaj që është dërguar pyetje në Gjykatën e Drejtësisë dhe që kjo pyetje është shqyrtuar në Kombet e Bashkuara dhe është bërë rezoluta që thotë se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun për çështje të ndryshme dhe t’i normalizojnë marrëdhëniet, dialogu ka hyrë në BE, është lehtësuar dhe ka pasur delegacione të ndryshme, ndërsa është nënshkruar edhe nga kryeministrat dhe unë mendoj që ka dhënë rezultate”, tha Tahiri

Sipas Tahirit, pakënaqësia e Kosovës në raport me dialogun lidhet me njohjen reciproke, por sipas tij dialogu do të vazhdojë në temat praktike.

“Tani ne jemi të pakënaqur për shkak të asaj që po i thuhet njohje reciproke, shkëmbimi i notave diplomatike për njohje të shteteve dhe do të vazhdojë për çështje praktike, tani janë hapur temat e të pagjeturve, të shpërngulurve dhe të tjera dhe do të hapen varësisht interesit. Kosova disa i ka kryer, Serbia disa s’i ka realizuar”, tha Tahiri.

Më tutje, ai shprehet se BE-ja nuk është as mbikëqyrëse e as garantuese e dialogut. Ai duke komentuar deklaratën e Lajçak për ndryshimin e Kushtetutës shprehet se procedurat janë të tilla.

“Bashkimi Evropian është ndërmjetësues, nuk është mbikëqyrës, nuk është garantues e dialogut dhe në këtë bazë kur Serbia po proteston ose po kërkon nga BE garanci të zbatohet Zajednica, BE po thotë se jemi lehtësues dhe s’kemi organizma. Qëndrimi i Lajçakut se për t’u bërë Asociacioni duhet të ndryshohet Kushtetuta, sepse është bërë marrëveshja në 2013 dhe 2015 e shpjegon procedurën. Për mendimin tim nuk mund të krijohet asociacion pa bërë ndryshim në Kushtetutë, kjo nuk do të thotë se Asociacioni të jetë me kompetenca ekzekutive, por vetëm të futet në Kushtetutë, pra të parashihet, ka mendime që thonë se mund të bëhet me ligj pa shkuar në Kushtetutë.”, tha Tahiri.

Ai në fund është shprehur se futja në Kushtetutë e Asociacionit, nuk nënkupton automatikisht të drejta ekzekutive në asnjë variant.

(Kosova Sot Online)