Netanyahu s’bie në grackën e Trumpit, s’flet keq për Joe Biden

  • A.P /
  • 23 October 2020 - 23:03
Netanyahu s’bie në grackën e Trumpit, s’flet keq për Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahun, e ka futur në grackë këtë të fundit duke ia bërë një pyetje mjaft provokatore.

Siç dihet, gjatë fushatës që po zhvillohet në SHBA, presidenti Trump ia ka vendosur një nofkë kundërkandidatit nga radhët e demokratëve për president, Joe Biden, duke e quajtur “Sleepy Joe”, apo “Xhoi i fjetur (lodhur)”.

Gjatë bisedës telefonike me Netanjahun, Trump e pyeti këtë të fundit nëse “Xhoi i fjetur” do të mund të arrinte një marrëveshje të tillë, siçe bëri Trump në mes Izraelit dhe Sudanit.

Trump: “A mendoni se “Sleepy Joe” (Xhoi i fjetur) do ta bënte këtë marrëveshje, Bibi, “Sleepy Joe”.

Por, kryeministri Netanjahu nuk ra në grackën e Trump ku tha se një ndihmë të tillë Izraeli e pret nga kushdo që e ofron SHBA.

Benjamin Netanjahu: “Uh … epo … z. President, një gjë që mund t’ua them është se ne e vlerësojmë lart ndihmën për paqe nga çdokush në Amerikë”.

Kujtojmë se kohëve të fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë thirrje publikisht që gjatë zgjedhjeve në Amerikë të votohet Joe Biden.

Deklaratë kjo e vlerësuar negativisht nga analistët politikë të cilët thonë se dobia e saj është shumë e vogël në rast se Biden i fiton zgjedhjet, por dëmi mund të jetë jashtëzakonisht i madh nëse i humb ato.

(Kosova Sot Online)