Specialja tregon se në cilat raste mund të mos e publikojë aktakuzën kundër Thaçit e Veselit

  • E. /
  • 26 October 2020 - 10:31
Specialja tregon se në cilat raste mund të mos e publikojë aktakuzën kundër Thaçit e Veselit

Tashmë ka kaluar afati 6-mujor që ka qenë në dispozicion të gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, për ta konfirmuar apo për ta hedhur poshtë aktakuzën me 10 pika, të dorëzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i bën përgjegjës presidentin Hashim Thaçin dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, për një sërë krimesh gjatë dhe pas luftës.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vendosur që aktualisht të mos tregojnë nëse janë proceduar për gjykim akuzat ndaj Thaçit e Veselit. Siç ka bërë të ditur para më shumë se dy javësh shefja e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara, Angela Griep, kjo aktakuzë, sikur edhe të tjerat, mund të konfirmohet, por të mos bëhet publike menjëherë.

“Derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj. Gjyqtari i procedurës paraprake, në varësi të specifikave të çështjes individuale, ka deri në gjashtë muaj kohë për të marrë një vendim nëse do ta hedhë poshtë ose do ta konfirmojë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, rregullat parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar që ajo të bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas depozitimit të saj”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara për Express.

Në rregulloren e punës së kësaj gjykate, ekzistojnë rregulla, sipas të cilave, gjyqtari i procedurës paraprake në disa raste mund të urdhërojë që aktakuza e konfirmuar të mos publikohet për një kohë.

Njëra nga rregullat e Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara specifikon se në disa rrethana, publikimi i aktakuzës mund të shtyhet.

“Në rrethana të posaçme, në rast se para konfirmimit të aktakuzës Prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme, për arsye të sigurisë, për parandalimin e arratisjes së të akuzuarit, apo të çrregullimit të procedurave, ose trazirave shoqërore, gjykatësi i procedurës paraprake, ndër të tjera, mund të urdhërojë përkohësisht mosnxjerrjen publike të aktakuzës, dokumenteve ose informacionit që ka lidhje me aktakuzën deri në një urdhër të dytë. Sidoqoftë, aktakuza bëhet publike, nëse është e nevojshme me redaktime, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thotë rregulli 88, i quajtur “Statusi publik i aktakuzës”.

Presidenti nuk ka folur në lidhje me aktakuzën, ndërsa i fundit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që u pyet për këtë, ishte deputeti Mërgim Lushtaku në një konferencë për media të shtunën.

“Ne jemi Partia Demokratike e Kosovës, nuk përzihemi në drejtësi, kjo pyetje nuk është për mua, por për organet kompetente”, tha Lushtaku.

Ndërsa, avokati Arianit Koci, tha të shtunën se Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit po iu shkelen të drejtat elementare të njeriut nga Gjykata Speciale, e cila s’po tregon asgjë lidhur me aktakuzën e propozuar ndaj tyre.

“Nuk po tregohet as respekti minimal ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj figurës së Presidentit të Kosovës, e as ndaj z. Hashim Thaçi si individ, me faktin që Dhomat e Specializuara nuk japin informata se çka po ndodh me aktakuzën e deponuar me 24 prill 2020”, ka shkruar Koci, në një reagim në Facebook.

“Afati gjashtëmujor ka skaduar! Një popull i tërë po mbahet peng! Në anën tjetër, z. Thaçi po i shkelen të drejtat e njeriut në mënyrë brutale”, ka shkruar Koci ndër tjerash, duke shtuar se kështu po humbet besimi në këtë gjykatë.

Më 24 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua kishte paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim nga Gjykata, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje, zhdukje e detyruar të personave, përndjekje dhe tortura.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar kishte thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat e paraqitura. 

(Kosova Sot Online)