Përmbytet barka në kanalin mes Francës e Anglisë, vdesin dy të rritur e dy fëmijë

  • E.K /
  • 28 October 2020 - 09:15
Përmbytet barka në kanalin mes Francës e Anglisë, vdesin dy të rritur e dy fëmijë

Dy persona të rritur dhe dy fëmijë kanë vdekur pasi një barkë me imigrantë u përmbyt në ujërat e Francës veriore, jo shumë larg brigjeve të Anglisë.

Autoritetet nisën një operacion të gjerë të kërkim-shpëtimit pasi barka u pa në vështirësi afër Dunkirkut, shkruan BBC.

Dy fëmijë të moshës pesë dhe tetëvjeçare si dhe një burrë e një grua, që besohet se janë nga Irani, vdiqën në këtë incident. Pesëmbëdhjetë persona tjerë janë dërguar në spital.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, shprehu keqardhje për incidentin dhe u solidarizua me të dashurit e viktimave. “Ne u kemi ofruar autoriteteve franceze çdo përkrahje përderisa ato e hetojnë këtë incident të tmerrshëm dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i shtypur këto banda të pamëshirshme kriminale, të cilat bëjnë gjah në njerëz të dobët duke i lehtësuar këto udhëtime të rrezikshme”, deklaroi ai.

Barka ishte vërejtur rreth dy kilometra larg bregdetit francez rreth orës 9 e 30 minuta sipas kohës lokale dhe autoritetet u vunë në alarm.

Katër barka franceze, një barkë peshkatarësh dhe një helikopter i forcave belge morën pjesë në operacionin e kërkimit të njerëzve në ujë.

Kushtet e motit në Kanalin Anglez kanë qenë të vështira gjatë tërë ditës. Zyra e Meteorologjisë në Britani kishte lëshuar paralajmërim për mot të lig paraprakisht.

Prokurori publik në Dunkirk i ka nisur hetimet për t’i zbuluar shkaqet e përmbytjes së barkës me imigrantë.

(Kosova Sot Online)