Qeveria e Kosovës: Nesër në Bruksel flasim për financat dhe çështjen e pronave

  • E.K /
  • 28 October 2020 - 10:47
Qeveria e Kosovës: Nesër në Bruksel flasim për financat dhe çështjen e pronave

Zyra për media e kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se nesër në takimin mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të diskutohet për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjet e pronës.

Në komunikatën për media zyra e kryeministrit Hoti ka thënë se Koordinatori Skender Hyseni ka udhëtuar për në Bruksel për tu takuar me palën serbe me ftesë të Emisarit Miroslav Lajçak.

“Me ftesë të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga Koordinatori Shtetëror Skender Hyseni, ka udhëtuar sot për në  Bruksel, ku nesër pritet të zhvillohet takimi i radhës me delegacionin nga Serbia. Temë e diskutimit do të jetë zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve. Me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak, në takimin e nesërm, delegacionet do të vazhdojnë diskutimin e filluar në takimin e kaluar rreth kësaj çështjeje”, thuhet në komunikatë.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano dje ka konfirmuar për express se në tavolinën e bisedimeve të enjten nuk do të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe për të cilën kishte insistuar Serbia.

“Kryenegociatorët do të takohen për të diskutuar zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës”, tha ai.

Ndërkaq pardje zëdhënësi i BE’së, Peter Stano deklaroi se takimet në Bruksel do të zhvillohen në përputhje me masat institucionale belge të futura për të ndaluar përhapjen e Covid-19.

Takimi i 29 tetorit vjen pasi ishte shtyrë takimi i paraparë në fund të shtatorit.

Njëra nga arsyet e shtyrjes së takimit ishte edhe refuzimi i Kosovës për të biseduar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të cilën kishte insistuar Serbia.

Çështja e Asociacionit në Kosovë po shihet si problematike në implementim dhe të njëjtën e kanë kundërshtuar të gjithë liderët politikë.

Emisari i BE’së Miroslav Lajçak i cili ndërmjetëson takimet mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë një vizite në Kosovë dhe Serbi para dy javësh kishte deklaruar se dy vendet duhet të konsiderojnë ndryshimin e kushtetutës nëse duan të arrijnë marrëveshje ndërkombëtare për ta përfshirë atë në rendin ligjor dhe kushtetutes.

(Kosova Sot Online)