Franca pritet të vendosë izolim njëmujor mbarëkombëtar pas rëndimit të gjendjes

  • E.K /
  • 28 October 2020 - 12:36
Franca pritet të vendosë izolim njëmujor mbarëkombëtar pas rëndimit të gjendjes

Presidenti i Francës, Emanuel Makron, pritet të marrë vendim për izolim njëmujor në nivel vendi me qëllim të luftimit të përhapjes së koronavirusit.

Ky vendim do të vinte pas numrit rekord të rasteve të infektimeve, që e ka shtuar trysninë ndaj spitaleve dhe ka filluar ta rrisë numrin e viktimave, shkruan The Guardian.

Pritet që të mërkurën në mbrëmje, presidenti Makron të mbajë një fjalim që do të transmetohet në televizion pas mbajtjes së një takimi urgjent me ministrat e kabinetit qeveritar.

Kryeministri francez, Jean Castex, tashmë është takuar me udhëheqësit e sindikatave dhe partitë opozitare për ta arsyetuar nevojën për masa më të ashpra kufizuese.

Pjesë të mëdha të Francës, përfshirë kryeqytetin Paris, janë vendosur nën orë policore gjatë natës, por zyrtarët thonë se kjo masë nuk ka qenë e mjaftueshme për ta ndalur virusin.

Ka pasur spekulime se qeveria do të vendosë orë policore që do të fillojë më herët në mbrëmje ose izolim të pjesshëm në zonat më të prekura nga COVID-19. Megjithatë, të martën në mbrëmje u raportua se presidenti francez do të vendosë për izolim njëmujor, të ngjashëm me izolimin në muajt mars dhe prill.

(Kosova Sot Online)