Bajrami: Unë dhe kabineti im s’kemi të drejtë të ndërhyjmë në transaksionet e Thesarit

  • E.K /
  • 28 October 2020 - 15:57
Bajrami: Unë dhe kabineti im s’kemi të drejtë të ndërhyjmë në transaksionet e Thesarit

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, bashkë me dy zëvendësdrejtorët e Thesarit, Medie Musliun dhe Nysret Kocën, janë paraqitur në Komisionin për Buxhet dhe Financa për të raportuar lidhur me skandalin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga buxheti i shtetit.

Bajrami në fillim të raportimit ka treguar se ajo, kabineti i saj dhe i gjithë stafi politik e kanë të ndaluar me ligj që të ndërhyjnë në transaksionet e Thesarit dhe tha se nuk e kanë bërë këtë.

“Ministri, kabineti dhe stafi politik e kanë të ndaluar me nenin 4 të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë që të kenë ndërhyrje kur është puna te transaksionet në Thesar. As nuk kemi qasje, as nuk ka pasë ndërhyrje”, ka thënë Bajrami

Zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda, dyshohet se krijoi disa ‘userë’ të rremë për t’i kryer vetë katër transaksione të njëpasnjëshme që i çuan 2,077,995.90 euro në llogarinë e “LDA Group”, në pronësi të Kadri e Valon Shalës.

Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Gjykata Themelore e Prishtinës javën e kaluar ia ka caktuar Grudës masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërkaq pronari i “LDA Group”, Kadri Shala, që ishte në arrati bashkë me Valon Shalën, të hënën u dorëzua në Policinë e Kosovës, ashtu siç kishte paralajmëruar në një letër të dërguar . Sot, Gjykata Themelore e Prishtinës ia caktoi edhe atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në arrati, ende ndodhet Valon Shala, përfaqësues i autorizuar i “LDA Group”.

(Kosova Sot Online)