Haradinaj viziton Hungarinë, dy shtetet pritet t’i nënshkruajnë tri marrëveshje

  • E.K /
  • 29 October 2020 - 09:10
Haradinaj viziton Hungarinë, dy shtetet pritet t’i nënshkruajnë tri marrëveshje

Kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Hungari.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të lëshuar për media nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, sot qëndron për vizitë zyrtare në Hungari, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë hungarezë dhe studentë nga Kosova në Budapest”, thuhet në njoftim, teksa tutje bëhet e ditur se kryediplomatja kosovare, do të pritet në takim nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, me të cilin do të diskutojë zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Pas këtij takimi, ministrja Haradinaj-Stublla dhe ministri Szijjarto do të nënshkruajnë tri marrëveshje dypalëshe – Marrëveshjen midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë për promovimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve; Programin e Bashkëpunimit mbi Shkencën dhe Arsimin e Lartë për vitet 2021-2023; si dhe Memorandumin e Bashkëpunimit Brenda Kornizave të Bashkëpunimit të “Stipendum Hungaricum Programme” për vitet 2020-2023.

 Gjatë qëndrimit në Budapest, shefja e diplomacisë kosovare, do të vizitojë edhe Parlamentin hungarez, ku do të ketë takim me kryetarin e komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë, Zsolt Nemeth.

(Kosova Sot Online)