Infermierët e pakënaqur me vendimin e Qeverisë, paralajmërojnë veprime sindikale

  • E.K /
  • 29 tetor 2020 - 11:57
Infermierët e pakënaqur me vendimin e Qeverisë, paralajmërojnë veprime sindikale

Qeveria e Kosovës dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, kanë arritur një marrëveshje për pagesat shtesë për punëtorët shëndetësorë. Por të pakënaqur me këtë vendim të Qeverisë janë Sindikata e Infermierëve të Kosovës. Kjo sindikatë në ora 12:00 do të mbajë konferencë për media.

Në një njoftim të Qeverisë bëhet e ditur se kryeministri Avdullah Hoti, ministri Armend Zemaj dhe FSSHK e përfaqësuar nga Blerim Syla, Blerim Delija dhe Xhemajl Selmani, janë pajtuar për pagesat shtesë për punëtorët shëndetësorë nga muaji shtator deri në dhjetor.

“Duke marr në konsideratë mundësitë financiare që Qeveria e Republikës së Kosovës ka në këtë periudhë, për të mbështetur të punësuarit në sistemin publik shëndetësorë, palët u morën vesh që pagesat shtesë për muajit shtator-dhjetor të jenë si në vijim: 1) Mjekët – 250 euro në muaj, 2) Infermierët – 150 euro në muaj, dhe 3) Stafi mbështetës – 100 euro në muaj”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Por të pakënaqur me këtë vendim të Qeverisë janë Sindikata e Infermierëve të Kosovës. Kjo sindikatë në ora 12:00 do të mbajë konferencë për media.

Nga kjo Sindikatë po deklarojnë se janë  të indinjuar me vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me diskriminimin që i’u është bërë infermierëve në shtesat bazuar në Ligjin antiCOVID.

“Duke mos dashur që të nënvlerësojmë punën e mjekut i cili në bazë të marrëveshjes përfiton 250€ në muaj, 150€ për infermierin duke e ditur punën, angazhimin dhe sakrificën e infermierit në raport me pacientin, kujdesin kontinual 24h për pacientin, dhënien e shërbimeve në çdo kohë, ne si Sindikatë e konsiderojmë diskriminuese si dhe mosvlerësim të profesionit, punës dhe angazhimit të infermierit”, thuhet në njoftim.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të rishqyrtojnë urgjentisht marrëveshjen me akterët e involvuar pasi kjo marrëveshje është ofenduese për komunitetin infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor e cila tregon vlerësim joreal të punës së infermierit në periudhën në të cilën po kalon vendi ynë”.

Sindikata e Infermierëve të Kosovës pas takimit me kryesinë e Sindikatës do dal me njoftimin mbi veprimet sindikale që do ndërmarrim në shenjë pakënaqësie ndaj kësaj marrëveshje diskriminuese.

(Kosova Sot Online)