Sulmi në Nice ngjall kujtimet e trishta për sulmin me kamion para katër vjetëve

  • G.G /
  • 29 tetor 2020 - 13:04
Sulmi në Nice ngjall kujtimet e trishta për sulmin me kamion para katër vjetëve

Sulmi me thikë që ndodhi të enjten në qytetin jugor të Francës, Nice, nuk është i pari me të cilin është përballur ky vendbanim. Banorët e tij ende i kanë kujtimet e sulmit të tmerrshëm me kamion, që ndodhi në vitin 2016 pikërisht në qytetin e tyre. Në atë sulm u vranë 87 persona, përfshirë sulmuesin.

Në mbrëmjen e 14 korrikut 2016, një kamion 19-tonësh u drejtua qëllimisht nga një sulmues në drejtim të turmës së njerëzve, të cilët po e festonin një festë kombëtare. Në sulm mbetën të vrarë 86 persona dhe u lënduan 458 të tjerë.

Vozitësi i kamionit u identifikua si Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, tunizian që jetonte në Francë. Sulmi përfundoi pas shkëmbimit të të të shtënave mes tij dhe forcave policore, me ç’rast sulmuesi u vra.

Përgjegjësinë për këtë sulm e kishte marrë ISIS-i, i cili kishte deklaruar se sulmuesi u është përgjigjur thirrjeve për t’i vënë në shënjestër qytetarët e vendeve të koalicionit ushtarak që po e luftonte grupin terrorist.

Një ditë pas sulmit, më 15 korrik, presidenti i atëhershëm francez, François Hollande, e quajti këtë rast si akt të terrorizmit islamik, vendoi që ta zgjaste gjendjen emergjente për tre muaj të tjerë (kjo gjendje ishte shpallur më herët për shkak të sulmeve të nëntorit të 2015-ës në Paris) dhe njoftoi për shtimin e sulmeve ajrore të Francës kundër ISIS-it në Siri dhe Irak.

Disa ditë pas sulmit, prokurori François Molins tha se sulmuesi e kishte planifikuar aktin për muaj të tërë dhe kishte ndihmë nga persona të tjerë për këtë. Më 1 gusht 2016, gjashtë persona të dyshuar ishin dërguar në ndalim nën akuzën për veprime kriminale terroriste.

Ndryshe, të enjten në Nice u vranë tre persona dhe u plagosën disa të tjerë. Sulmuesi është plagosur nga policia, është arrestuar dhe është dërguar në spital. Autoritetet besojnë se prapa sulmit ka motive terroriste.

(Kosova Sot Online)