Spanja vazhdon të izolohet, Katalonja mbyll kufijtë për 15 ditë

  • E.K /
  • 29 October 2020 - 15:24
Spanja vazhdon të izolohet, Katalonja mbyll kufijtë për 15 ditë

Rajoni spanjoll i Katalonjës të enjten njoftoi se do ta ndalojë hyrjen në territorin e vet për 15 ditë. Kjo është masa më e re e marrë nga rajonet spanjolle në përpjekje për ta kufizuar përhapjen e virusit.

Katalonja, rajon ku shtrihet një ndër qytetet më të mëdha të Spanjës, Barcelona, është një nga vatrat e përhapjes së koronavirusit dhe tashmë ka vendosur disa ndër masat më të rrepta në tërë Spanjën, përfshirë mbylljen dyjavore të bareve dhe restoranteve. Afati i mbylljes së tyre do të zgjatet.

Lajmi për mbylljen e kufijve të Katalonjës erdhi në kohën kur qeveria qendrore në Madrid po diskutonte për mundësinë e shpalljes së gjendjes emergjente në tërë vendin, e cila, sipas planit të qeverisë, do të duhej të zgjaste deri në maj, në mënyrë që autoritetet të kenë mbështetje ligjore për vendosjen e masave kufizuese.

“Qeveria është e vetëdijshme që qytetarët janë të lodhur pas disa muajve të përpjekjes dhe sakrificave, që nuk kanë mundësi ta bëjnë atë që janë mësuar ta bëjnë më parë, t’i përqafojnë njerëzit, familjet tona dhe miqtë tanë, por nuk është koha që të lehtësohen masat, kemi javë dhe muaj shumë të vështirë para vetes”, tha ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa.

Pas mospajtimeve të shumta politike për atë se si duhet të menagjohet kriza, qeveria pritet që më në fund të sigurojë përkrahje të mjaftueshme që ta miratojë në kuvend zgjatjen e gjendjes emergjente. Votimi për këtë çështje pritet të mbahet më vonë të enjten.

(Kosova Sot Online)