Zelanda e Re bëhet ndër shtetet e pakta në botë që e lejojnë mbytjen me eutanazi

  • E.K /
  • 30 October 2020 - 11:12
Zelanda e Re bëhet ndër shtetet e pakta në botë që e lejojnë mbytjen me eutanazi

Populli i Zelandës së Re ka votuar për ta legalizuar eutanazinë, por pritet ta refuzojnë lejimin e marijuanës për qëllime rekreative, bënë të ditur autoritetet.

Këtë muaj, në shtetin e largët u mbajtën referendume për këto çështje në të njëjtën kohë kur u mbajtën edhe zgjedhjet e përgjithshme, të cilat i fitoi kryeministrja Jacinda Ardern.

Duke i publikuar të dhënat preliminare të Komisionit Zgjedhor, autoritetet thanë se gati gjysmë milioni vota ende nuk janë numëruar. Megjithatë, këto vota nuk mund ta ndryshojnë rezultatin për lejimin e eutanazisë.

Sidoqoftë, votat që ende nuk janë numëruar matematikisht mund ta ndryshojnë rezultatin përfundimtar për lejimin apo kundërshtimin e përdorimit të marijuanës për qëllime rekreative, shkruan Daily Mail.

Eutanazia është mënyrë për t’i dhënë fund jetës së pacientëve që vujanë nga sëmundje të rënda e të pashërueshme e që kanë dhimbje e vuajtje të mëdha dhe gjendja e të cilëve nuk pritet të përmirësohet.

(Kosova Sot Online)