Dhjetëra mijëra myslimanë protestojnë kundër deklaratave të Makronit pas sulmit në Francë

  • E.K /
  • 30 October 2020 - 14:44
Dhjetëra mijëra myslimanë protestojnë kundër deklaratave të Makronit pas sulmit në Francë

Dhjetëra mijëra myslimanë protestuan në Pakistan, Bangladesh dhe Palestinë të premten pasi vrasja e tre personave në një kishë franceze e nxiti presidentin Makron që të marrë qëndrim të ashpër kundër sulmeve ndaj lirisë së besimit dhe vlerave franceze.

Ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerald Damarnin, tha se Franca është përfshirë në një luftë kundër ideologjisë islame dhe ka gjasë që të ndodhin më shumë sulme, shkruan Reuters.

Në Pakistan, policia përdori gaz lotsjellës ndaj mijëra protestuesve që u nisën drejt Ambasadës së Francës në Islamabad. Dëshmitarët thanë se disa protestues u përpoqën që t’i kalojnë pengesat e vendosura nga policia.

Në një tjetër shtet aziatik me shumicë myslimane, Bangladesh, dhjetëra mijëra njerëz marshuan në rrugët e kryeqytetit Daka, duke brohoritur “Bojkotojini prodhimet franceze” dhe duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej “Makroni është terroristi më i madh në botë”.

“Makroni po e udhëheq islamofobinë. Ai nuk e njeh fuqinë e Islamit. Bota myslimane nuk do ta lërë këtë të shuhet. Ne do të ngrihemi dhe do të qëndrojmë në solidaritet kundër tij”, tha Akramul Haq, një nga protestuesit që doli në Daka.

Në Palestinë, mijëra palestinezë marshuan pas lutjeve të së premtes në xhaminë Al-Aqsa në Jerusalem për ta kundërshtuar publikimin e karikaturave të profetit Muhamed në Francë. Protestuesit u dëgjuan duke brohoritur “Një komb, lider i të cilit është Muhamedi, nuk do të mposhtet”.

(Kosova Sot Online)