Drejtori për Shëndetësi tregon pse dje u regjistruan rreth 200 raste në Prishtinë

  • S.A /
  • 31 October 2020 - 07:46
Drejtori për Shëndetësi tregon pse dje u regjistruan rreth 200 raste në Prishtinë

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka deklaruar se sa më i madh të jetë numri i testimeve në vend, aq më i madh do të jetë numri i të infektuarve.

Gashi ka shpjeguar edhe arsyen e rritjes së rasteve në tri javët e fundit, duke e lidhur me numrin e testimeve.

“Sikur t’i realizojmë nesër 3200 testime, sigurisht se do t’i kemi 700 infektime. Ky është proporcioni dhe nuk mund të jetë ndryshe. Varet edhe nga rastet dhe personat që identifikohen si kontakte”, ka deklaruar ai.

Ai nuk vlerëson se ndonjë masë rigoroze për parandalimin e përhapjes së COVID-19, do të ishte e suksesshme.

Sipas tij, e gjitha që duhet tash është rritja e mbikëqyrjes së situatës.

Ai është pjesë e Komisionit për Pandeminë që do të mblidhet të shtunën për të shqyrtuar situatën me COVID-19 në Kosovë, por përjashton si ide ndonjë izolim tjetër. Megjithëse thotë se komunat e kanë të obliguar të zbatojnë çdo vendim që merr Qeveria.

“Ne jemi më shumë për rritjen e mbikëqyrjes. Si profesionist jam për mbajtje të maskës, për mbajtje të higjienës dhe distancës. Këto tri masa na mbrojnë më së shumti. Një mbikëqyrje më e rreptë do të ishte më e udhës. Nuk mendoj se shtimi i masave, apo karantinimi larg qoftë janë zgjidhje. E kemi provuar, nuk ka dhënë rezultate, sado që kufizojmë lëvizjen, në orare të caktuara do të shtyjmë qytetarët të bëjnë grumbullime në atë kohë, kudo që kanë nevojë”, ka thënë Gashi.

(Kosova Sot Online )