Në Itali identifikohen pesë variante të koronavirusit

  • E.K /
  • 31 October 2020 - 11:13
Në Itali identifikohen pesë variante të koronavirusit

Janë zbuluar pesë variante të koronavirusit në Itali. Për t’i përcaktuar mutacionet e vërteta, nevojiten më shumë të dhëna statistikore, por tash për tash mund të thuhet se virusi jo vetëm që nuk është më pak agresiv se në fillim të vitit, por edhe mund ta replikojë veten në mënyrë më efektive falë varianteve të reja.

Këto janë të dhënat që janë nxjerrë deri më tani nga task-forca në qendrën për bioteknologji të avancuar “Ceinge” në Napoli, shkruan agjencia italiane Ansa.

“Nga të dhënat e deritashme, bazuar në 246 gjenomet e marra nga pacientët me COVID-19, del se janë pesë variante të virusit”, tha shkencëtari Massimo Zollo nga Unviersiteti i Napolit “Federico II”.

“Ne e dimë se variantet e virusit, të identifikuara me shkurtesat 19A, 19B, 20A, 20B dhe 20C, janë të pranishme në mbarë Italinë, por tash është pyetja se cili është ndikimi i tyre në rajone”, shtoi ai.

Pas izolimit, variantet më të shpeshta janë 20A dhe 20B. Të dhënat po mblidhen në Lombardi, por edhe në rajonet Lazio, Abdruzzo dhe Puglia. Megjithatë, shkencëtarët thonë se ende nevojitet shumë punë për të kuptuar qarkullimin e këtyre varianteve në Itali.

Më tutje, Zollo thotë se virusi nuk është bërë më pak agresiv në krahasim me valën e parë të pandemisë. “Qartazi, SARS-CoV-2 nuk është më pak i keq sesa ishte në mars dhe variantet e reja duket se e kanë bërë më agresiv”, tha ai.

(Kosova Sot Online)