Deputetët të ashpër për veriun: Serbia me strategji të egër për shpopullimin e shqiptarëve

  • G.G /
  • 02 November 2020 - 12:52
Deputetët të ashpër për veriun: Serbia me strategji të egër për shpopullimin e shqiptarëve

Deputetët po zhvillojnë debat parlamentar rreth problemeve që kanë shqiptarët në veri të Kosovës. Ata po kërkojnë që shqiptarët në atë pjesë t’i gëzojnë të drejtat e tyre dhe të kthehen në pronat që u takojnë.

Deputetja Valdete Idrizi, në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut tha se ka një strategji të egër të Serbisë për shpopullimin e shqiptarëve në veri të Kosovës.

Ajo tha se në veri po ndërtohen banesa kolektive për serbët, ndërkohë që shqiptarëve po u mohohen të drejtat mbi pronat e tyre.

Madje siç tha ajo, në ndërtimet që po bëhen po vendosen edhe serbë nga Serbia, të cilët nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës.

Sipas saj, krejt këto po bëhen me qëllim që asambleja komunale në veri të Mitrovicës të jetë e përbërë vetëm nga komuniteti serb.

“Komunat paralele nuk janë duke lejuar kurrsesi që të ndërtohet ndonjë shtëpi apo banesë kolektive për shqiptarët në veri të Mitrovicës apo Zveçan, e këtu hyjnë edhe shtëpitë e rrënuara tërësisht gjatë vitit ‘99, bile as të rinovohen së paku. Të gjitha këto veprime janë duke u bërë më qëllim që në një të ardhme të afërt, gjatë zgjedhjeve lokale, shqiptarët mos të arrijnë të fitojnë vota, asnjë vend në asamblenë komunale të Mitrovicës në veri, dhe kështu edhe kjo asamble komunale të jetë 100 qind për qind vetëm e serbëve”, tha ajo.

Idrizi tha se shqiptarët në veri të vendit janë detyruar të shesin pronat.

E deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci tha se gjendja shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në veri të vendit mbetet e rëndë.

“Institucionet e Kosovës nuk mund të qëndrojnë indiferent ndaj gjendjes së rëndë në veri të Kosovës, është përgjegjësi kushtetuese ligjore për të garantuar të drejtën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, kjo situatë është e tillë edhe për shkak të papërgjegjësisë institucionale gjatë këtyre viteve, institucionet e Kosovës jo vetëm që totalisht kanë injoruar problemet e padrejtësitë që i janë bërë komunitetit shqiptar e komuniteteve të tjera jo serbe por kanë kontribuar direkt në shtrirjen e strukturave paralele dhe kontroll nga Serbia ndaj serbëve të kësaj ane. Diskriminimit të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera jo serbe në këtë pjesë, Qeveritë e Kosovës i janë përgjigjur me koncesione shtesë për Serbinë, Qeveritë e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët në veri të Kosovës”, tha ajo.

Ajo tha se Qeveria e Kosovës duhet të garantojë të drejtën e pronës për të gjithë qytetarët, të mbështesë financiarisht rindërtimin e shtëpive të djegura, të lirojë pronat e uzurpuara, të mundësojë hapjen e shkollave dhe shtëpisë së shëndetit.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se sot ka vështirësi në jetën e qytetarëve në veri por nuk ka kriminalitet siç ka pasur më herët.

“Sot nuk kemi kriminalitet të cilin e kemi pasur mirëpo kemi vështirësi ende të qytetarëve tanë të cilët jetojnë në atë pjesë të Republikës së Kosovës, dhe duhet të mundohem ta trajtoj drejtë, mos të politizoj dhe mos ta akuzoj askënd, mirëpo çështja e zgjidhjes së këtij problemi dhe më mirë të them, vendosjes së kontrollit sovranitetit ka ndodhur me qeverisjet e PDK-së, dhe padyshim që më duhet të them se edhe asokohe është mbështetur nga të gjitha partitë politike parlamentare, pra sot e kemi një ambient më të mirë e më të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk është veriu që ka qenë para 10 vitesh kur i kemi pasur kriminelët e fshehur, njerëzit e ndjekur nga Interpoli, kontrabandë të madhe”, tha ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Saranda Musliu tha ligji duhet të funksionojë edhe në veri të vendit.

“Bashkë nuk duhet të lejojmë që këto probleme të thellohen, prandaj duhet një strategji urgjente dhe unifikim të faktorit politik për të ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm. Nuk jemi kundër që lagjet atje të popullohen, por duhet të ketë barabarësi dhe respektim të rendit dhe ligjit, që secili të ndërtojë e të punojë siç e meriton e jo të bëhen selektime të tilla në baza etnike”, tha ajo.

Ndërsa deputetja Time Kadrijaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se është e nevojshme që ekzekutivi i Kosovës të kthejë vëmendjen për shqiptarët në këtë pjesë.

“Ka një tendencë që shteti serb për kolonizim të pronave të shqiptarëve në Mitrovicë të veriut, kjo duhet të ndalet, Mitrovica e veriut është tokë e Kosovës dhe shqiptarët duhet të kthehen në pronat e tyre, duhet të respektohen të gjitha pjesët e Kosovës, duhet të respektohet edhe Kushtetuta, edhe ligjet e Kosovës, njëjtë siç po respektohet për të gjitha komunitetet, andaj ju lutem që vëmendja e Qeverisë së Kosovës të kthehet edhe në këtë pjesë të Kosovës”, tha ajo.

Arbreshë Krasniqi, në emër të Nisma-AKR, tha se duhet të ndalohet zbatimi i standardeve të dyfishta për kthim.

“Është koha që Qeveria e Republikës së Kosovës të këmbëngulë dhe të kërkojë dhe të jetë në shërbim të të gjitha komuniteteve pa dallim, të punojë me dinamikë për të krijuar siguri për kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)