Rexhep Selimi: Në veri po vazhdon përndjekja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre

  • G.g /
  • 02 November 2020 - 12:56
Rexhep Selimi: Në veri po vazhdon përndjekja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se se e kanë lënë në dorë të Listës Serbe fatin e shqiptarëve të fshatrave veriore të Kosovës.

Selimi tha se në veri është duke u bërë spastrim etnik dhe ndryshim i dhunshëm i demografisë.

“Meqë më rastisi me fol pas përfaqësuesit të Qeverisë, po me bjen me tregu që ja çfarë keni ba për shqiptarët atje. Fatin e shqiptarëve në fshatrat veriore e keni lanë në dorën e Listës Serbe që na tregon neve çka kanë ba për shqiptarët atje. Qe ku i keni, që ku e keni lanë fatin e tyre”, tha Selimi.

“Në veri të Kosovës po vazhdon ende dhuna dhe përndjekja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. E ata që u përzunë nuk po lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre. Në Veri po vazhdon zbatimi i dhunshëm i ndryshimit demografik me anë të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve dhe me anë të kolonizimit, me kolonë serbë të ardhur nga Serbia”, u shpreh ai në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka bërë thirrje që institucionet e sigurisë dhe drejtësisë të intervenojnë menjëherë për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe sovranitetin e vendit.

“Atje bëhet fjalë për mos lejimin e shqiptarëve të pakicave të tjera të jetojnë nëpër shtëpitë e tyre. Për të jetuar të gjithë të lirë dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre, atëherë duhet që institucionet e sigurisë dhe drejtësisë të Kosovës të veprojnë menjëherë kundër bandave të Serbisë në mbrojtje të sovranitetit dhe shqiptarëve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Selimi. 

(Kosova Sot Online)