Deputeti i PDK-së e pyet Osmanin se pse s’inicioi rrëzimin e Qeverisë Kurti në një rast, përgjigjet kryeparlamentarja

  • G.G /
  • 02 November 2020 - 14:00
Deputeti i PDK-së e pyet Osmanin se pse s’inicioi rrëzimin e Qeverisë Kurti në një rast, përgjigjet kryeparlamentarja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sejdi Hoxha ka thënë se situata e shqiptarëve në veri të Kosovës nuk ka qenë kurrë në gjendje më të keqe sesa gjatë Qeverisë Kurti.

Hoxha tha se asnjë lider nuk e ka vizituar veriun, ndërsa kryeparlamentarja Vjosa Osmani iu përgjigj duke treguar se vetë e ka vizituar veriun në kohë të pandemisë.

“Asnjëherë, asnjëherë, po e përsëris edhe njëherë, nuk ka qenë më e rëndë situata e banorëve shqiptarë në veri sesa në kohën e qeverisjes së Albin Kurtit dhe Avdullah Hotit, e veçanërisht në kohën e pandemisë”, ka thënë Hoxha.

Në replikë, Osmani ka thënë se ka qenë ajo që e ka vizituar veriun në fillim të pandemisë.

“Z. deputet e keni gabim. Prej liderëve institucionalë kam qenë unë si kryetare e Kuvendit dhe i kam vizitu të gjitha ato fshatrat, përfshirë edhe shkollat atje. Kam qenë pikërisht në fillim të pandemisë”, ka thënë Osmani.

Deputeti i PDK-së kërkoi shpjegim nga kryeparlamentarja se pse ajo s’ka iniciuar mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti, pasi ajo, sipas tij ka zbatuar urdhra të Beogradit.

“Nga pozita që e mban si kryetare e Kuvendit pse s’ke iniciu mocion ndaj asaj qeverie, pasi ajo ka leju zbatim të urdhrave apo vendimeve të qeverisë së Serbisë për qytertarët tanë”, pyeti Hoxha.

Ndërsa Osmani tha se Hoxha po spekulon.

“Për shkak, z.deputet, se kjo që po e thoni është e pavërtetë, sepse e kam pa me sytë e mi vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ka qenë vendim që i ka paraprirë vendimeve të veriut”, ia ktheu Osmani.

Ajo i tha Hoxhës se “unë punoj me dokumente, e ju merreni me spekulime”. 

(Kosova Sot Online)